Protesta e Disa Studentëve Përfundon Para Kohe

Protesta e cila nisi para orës 8:00 të mëngjesit edhe pse u tha që do të zgjasë deri në orën 16:00 tashmë ka përfunduar.

Studentët janë shpërndarë vullnetarisht rreth orës 13:00.

Përfundimin e protestës e bëri të ditur për KALLXO.com edhe Argjend Softolli, njëri nga organizatorët.

“E kena mbyll protestën sepse të hanën në ora 9, kur mbahet edhe mbledhja e Këshillit Drejtues. E kena ni protestë gjithëstudentore para rektoratit,” tha Argjend Softolli.

12:59

Aktualisht ka shumë pak studentë brenda oborrit të Rektoratit, hyrja në të është e lirë ndërsa administrata e këtij institucioni ka hyrë brenda objektit.

 

Argjend Softolli, njëri nga organizatorët e protestës tregoi për ndërhyrjen e mëhershme policore.

“Kishte një paralajmërim të policisë që të lirohet hymja, por studentët nuk u bindën dhe më pas ndërhyri policia të cilët arritën ta thyenin kordonin e studentëve. Por studentët vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e rektoratit dhe të bëjnë të pamundshme punën e rektorit Zejnullahu,” tha Argjend Softolli.

Rektori Zejnullahu nuk është brenda në objekt, ndërsa protestuesit zotohen se do ta pengojnë punën e tij.

09:02

Rreth 50 studentë janë mbledhur sot përsëri para rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe janë vendosur te dera kryesore duke bllokuar kështu hyrje-daljet e këtij institucioni.

Disa prej punëtorëve që kanë ardhur në punë, kanë mbetur jashtë ngase studentët janë vendosur aty qysh para orës 8 të mëngjesit duke mos lejuar ata që të hyjnë brenda zyrave të tyre të punës.

Dy herë brenda një periudhe prej gjysmë ore, dy policë tentuan t’i bindin studentët që të largohen nga ajo hapësirë, mirëpo ata nuk u bindën kërkesave të policisë.

Përfaqësuesi i protestuesve Rifat Krasniqi la të kuptohet se e premta nuk do të jetë as ditë pune për zyrtarët e rektoratit, as ditë mësimi për studentët protestues.

“Këtu jemi prej orës 7:30 dhe to të qendrojmë gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje, për kërkesat tona që tashmë dihen”, tha Krasniqi.

Studentët protestues po kërkojnë që kriteri i arritjes së kushtit për gjeneratën 2014/15, në nivelin Bachelor, të jetë me 70% të kredive ose të provimeve; që kriteri i arritjes së kushtit për niveli Master të jetë me 50% të kredive ose provimeve; që të ketë afat të tetorit, ku studentët do të kenë të drejtë të paraqesin nga dy provime dhe i njëjti të vlejë për arritjen e kushtit për vitin vijues; dhe të kthehen afatet e absolventëve në të gjitha njësitë akademike.

Policët janë afruar për tu kërkuar atyre që të jenë paqësorë ndërsa Krasniqi u tha që do të jenë paqësorë mirëpo nuk do ta lejojnë askënd të hyjë brenda.