Pranvera e 400 Mijë Luleve në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka bërë planifikimet për t’i dhënë qytetit një pamje më pranverore këtë vit duke mbjellë 400 mijë lule, prodhim vendor.

Drejtoria Komunale për Shërbime Publike sot ka nisur zgjerimin dhe mirëmbajtjen e sipërfaqeve gjelbëruese edhe për këtë pranverë me mbjelljen e gjashtë llojeve të reja të luleve shumëvjeçare që “do t’i fisnikërojnë sipërfaqet gjelbëruese në qytetin e Prishtinës”.

Regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 ka treguar se në Prishtinë jetojnë rreth 200 mijë banorë që i bie se nga 2 lule do të mbillen për kokë banori në Prishtinë.

Në parkun tek lagja “Dodona”, në një sipërfaqe prej 5 hektarëve do të mbillen rreth 20 mijë lule sezonale.

“Në këtë park janë të angazhuar 18 punëtorë, të cilët përkujdesen si për mirëmbajtjen e këndit të lojërave për fëmijë, mirëmbajtjen e gjelbërimit ku nënkuptohet largimi i mbeturinave, ujitja e përhershme, kositja e barit,etj”, tha Isak Rakovica, kryeshef i ndërmarrjes “Hortikultura”.

Ai tha se Drejtoria e Shërbimeve Publike në tërë qytetin e Prishtinës i ka riaktivizuar pas shumë vitesh 17 puse, prej të cilëve do të ujiten sipërfaqet gjelbëruese për një mirëmbajtje më të mirë të hapësirave të gjelbra.

Njëkohësisht, në të gjitha hapësirat tek rrethrrotullimet e kryeqytetit do të mbillen tulipanë, ndërsa janë punësuar edhe 24 punëtorë me kontrata të përhershme, pasi që një prej qëllimeve kryesore të Komunës së Prishtinës mbetet krijimi i vendeve të reja të punës dhe fuqizimi i prodhimeve vendore.

Komuna thotë se qëllimi i saj është që të gjitha fidanët dhe lulet të cilat mbillen në qytetin e Prishtinës, të jenë prodhime vendore që prodhohen në lulishten e ndërmarrjes “Hortikultura”, me synim të rritjes së numrit të punëtorëve.

Nga lulishtet e ndërmarrjes “Hortikultura” do të prodhohen rreth 400 mijë lule në 3.000 metra katrorë sipërfaqe të cilat i posedon kjo ndërmarrje komunale, thuhet në një komunikatë të Komunës së Prishtinës.