Nis Gjyqi Ndaj Deputetit Serb të Bosnjës për Gjenocid në Srebrenicë

Dragomir Vasic, një ish-shef policie i akuzuar për gjenocid pak pasi u zgjodh deputet në parlamentin e Republikës Srpska, doli në gjyq në Sarajevë.

Gjyqi i Vasic, i cili u zgjodh në Kuvendin Popullor të Republikës Srpska në zgjedhjet e përgjithshme në tetorin e kaluar si kandidat i Partisë Demokratike Serbe të themeluar nga Radovan Karaxhiç, u hap ditën e enjte në gjykatën shtetërore boshnjake.

Vasic ishte komandanti i rajonit të policisë së Zvornikut dhe shef i Qendrës së Sigurisë Publike në qytet në verën e vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 7,000 burra e djem.

Akuza e tij bëri që disa grupe viktimash lufte të bënin thirrje për ndalim të njerëzve të akuzuar për krime të tilla duke marrë pozicione autoriteti.

Sipas akuzave, Vasic dhe dy të pandehur të tjerë, ish-oficerët e policisë Danilo Zoljic dhe Radomir Pantic, morën pjesë në zhvendosjen me forcë të popullsisë së Srebrenicës, si edhe kapjen dhe ekzekutimin e burrave dhe djemve në Bratunac, Srebrenicë dhe Zvornik.

Prokurori Ibro Bulic tha se gjatë operacionit në Srebrenicë, policia civile kontrolloi shtëpitë boshnjake, ndihmoi në dëbimin e banorëve vendas nga Potocari, ruajti robërit dhe siguroi transportin e tyre në vende të përkohshme paraburgimi dhe ekzekutimi.

Aktakuza pretendon se Vasic ishte në krye të të gjithë punës së të gjitha forcave policore në Zvornik.

“Ai ndërmori kontrollin mbi oficerët nga Qendra e Sigurimit Publik në Zvornik, i dha urdhra vartësve të tij dhe garantoi mbështetje teknike me qëllim të ekzekutimin e një plani për zhvendosje me dhunë. Ai nuk ndërmori asnjë masë për të mbrojtur popullsinë civile vendase,” tha Bulic.

Zoljic, ish-komandant i njësive speciale të policisë në Zvornik dhe Pantic, komandant i Kompanisë së Parë të njësive speciale, e dinin për planin dhe dhanë urdhër për të ndihmuar në zbatimin e tij, pretendon aktakuza.

Sipas akuzave, oficerët e Kompanisë së Parë morën pjesë në arrestimin e meshkujve në zonën e Bratunacut më 13 korrik 1995. Të arrestuarit u morën dhe u vranë ditën e nesërme.

Aktakuza pretendon se policët në Zvornik i shoqëruan të burgosurit në Kozluk, ku ata u vranë dhe ruajtën një qendër komuniteti në Pilica ku u vranë rreth 500 burra.

Dy të pandehurit e tjerë në gjyq, Miodrag Josipovic dhe Branimir Tesic, akuzohen se kanë marrë pjesë në zhvendosjen e dhunshme të popullsisë civile nga Potocari më 12 dhe 13 korrik si edhe transportim dhe burgosje të më shumë se 1,000 burrave dhe djemve që u vranë më vonë në Bratunac.

Josipovic akuzohet në cilësinë e shefit të Qendrës së Sigurimit Publik në Bratunac dhe Tesic si zëvendëskomandant i stacionit të policisë së qytetit.

Mbrojtja nuk mbajti një deklaratë hyrse në gjykatë ditën e nejte, duke thënë se do ta bënte këtë pasi prokuroria të paraqiste të gjitha provat e saj.

“Policia dhe këta njerëz që janë në krye të kësaj çështjeje nuk ishin pjesëmarrës në një sipërmarrje të përbashkët kriminale,” tha Aleksandar Lazarevic, avokati mbrojtës për të pandehurin Vasic.

“Ka shumë mundësi që oficerët e policisë të kenë marrë pjesë në situata individuale, por këta njerëz s’mund të mbahen përgjegjës për këtë, shtoi ai.

Gjyqi do të vazhdojë më 9 prill.