Mungesa e Ushqimit Cilësor, Epidemi Globale

Mungesa e ushqimit cilësor gjithnjë e më shumë po rrezikon shëndetin publik. Kjo më së shumti vërehet te shtresa e shoqërisë e cila nuk ka kushte adekuate për jetesë.

Shefi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë (OBSh), Skender Syla, tha se mungesa e ushqimit cilësor është shumë e rrezikshme.

“Sëmundjet të cilat barten përmes ushqimit paraqesin një sfidë dhe kërcënim serioz për shëndetin publik global”, paralajmëroi Syla.

Ai tha se mbi 200 sëmundje përhapen nga ushqimi i kontaminuar. Madje edhe vendet që kanë rregulla të rrepta për kontroll të ushqimit, Syla tha se janë gjithnjë të ekspozuara ndaj këtij rreziku.

Përfaqësuesja e UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad, tha se në Kosovë më të rrezikuarit nga ushqimi jocilësor janë fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

“Ne kemi kuptuar që një në shtatë fëmijë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian – që nënkupton 15 për qind të fëmijëve të tyre, janë shumë më të shkurtër për moshën e tyre që reflekton një kequshqyeshmëri për një kohë të gjatë”, tha ajo.

Këto vlerësime u dhanë në Ditën Botërore të Shëndetësisë. Në këtë ditë, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, zgjodhi të flasë për duhanpirësit, përderisa shprehu pakënaqësinë e tij rreth jetës së pashëndetshme të popullatës në Kosovë.

“Niveli i atyre që konsumojnë duhan, ndoshta keqpërdorin edhe barna, është i lartë. Prandaj ne duhet të punojmë edhe në uljen e përdorimit të duhanit”, tha ministri Rrahmani.

Ai tha se numri i mjekëve në Kosovë, në të dy sektorët, është shumë më i ulët se numri i mjekëve që ka Evropa. Ulja e vdekshmërisë së foshnjave dhe rezultatet e mira në luftimin e tuberkulozit, ministri i sheh si të arritura në shëndetësi.