Mjedra 'Zbret' në Qendër të Prishtinës

Kultivues të mjedrës sot kanë lënë punën në plantacione dhe kanë ardhur në Prishtinë për ta promovuar produktin e tyre.

Panairi promovues ka gjetur mbështetjen nga programi “për zhvillimin bujqësor dhe mundësitë rurale”, i financuar nga USAID. Sipas organizatorëve, rreth 600 fermerë e kultivojnë mjedrën në rajone të ndryshme të Kosovës, dhe rreth 400 hektarë janë aktualisht të kultivuara me këtë produkt.

Shaban Loshi i cili vizitoi këtë panair shprehet se është hera e parë që sheh prodhime vendore.

“Hera e parë që shoh diçka që është  vendore. Më vjen mirë që shoh prodhime të klasit të parë, vendore”, tha ai.

Ndërkaq, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi u zotua se prioritet për ministrinë të cilën ai e drejton, do të jetë përkrahja e sektorit të bujqësisë.

“Do të vazhdojmë ta mbështesim këtë sektor të rëndësishëm, me fokus të veçantë tek pemët manore, tek mjedra dhe tek të gjitha ato pemë të cilat me të vërtetë e ngrisin prodhimtarinë, zëvendësojnë importin dhe sjellin përfitime për fermerët duke rritur vendet e punës”, tha Krasniqi.

Pjesëmarrës të këtij panairi ishin shumë kompani prodhuese nga mbarë Kosova.

Vigan Hoxha, nga kompania për prodhimin e lëngjeve “Frutomania” u shpreh se përveç shitjes së produkteve në tregun e Kosovës, ata eksportojnë edhe në Shqipëri, Maqedoni, Mali të Zi, si dhe janë duke u përgatitur që produktet e tyre t’i eksportojnë edhe në vende të tjera të Evropës.

“Tregu i Kosovës është konkurrent, ne nuk e kemi atë që të luftojmë me çmime nuk mundesh me u shty, prapë është vështirë por ne jemi këtu edhe kemi me vazhdu që të prodhojmë lëngje edhe më të mira”, tha Hoxha.

Panairi do të qëndrojë i hapur deri më 21 gusht.