Kritikohet Raporti Buxhetor i Komunës së Prishtinës

Me 16 vota për, 24 kundër dhe asnjë abstenim, asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës, nuk e kanë miratuar raportin përfundimtar përmbledhës buxhetor të Kryetarit të Komunës për vitin 2014.

Visar Berisha, drejtor i Financave në Komunën e Prishtinës tha se kjo komunë për vitin 2014 ka pasur një buxhet të miratuar prej 63 milionë eurove, ndërsa buxheti përfundimtar për shkak të rritjes së pagave prej 25 për qind që ka ndodhur në vitin 2014 ka arritur vlerën diku rreth 66 milionë euro.

Berisha, u shpreh se nga këto mjete 24 milionë kanë qenë nga të ardhurat vetjake apo 38.3 për qind, ndërsa pjesa tjetër kanë ardhur nga grantet qeveritare siç janë granti i përgjithshëm, granti për arsim, granti i shëndetësisë si dhe buxheti shtesë për shkak të rritjes së pagave.

“Nga buxheti përfundimtar i këtij viti 66 milionë si dhe nga mjetet e bartura nga 2013-ta që kanë qenë rreth 14 milion euro, Komuna e Prishtinës ka shpenzuar gjithsej 70.2 për qind të gjithsej mjeteve që kanë qenë në dispozicion për vitin 2014”, shpjegoi Berisha.

Berisha tregoi se nëse krahasohet niveli i arkëtimit të të hyrave vetjake, ai vjet është diku 8 për qind më i ulët në krahasim me vitin 2013.

“Detyrimet ndaj Komunës së Prishtinës gjë që ndikojnë edhe në nivelin e të hyrave sipas pasqyrave financiare, janë në vlerë prej 36 milionë eurove për tatime në pronën e paluajtshme, 6 milionë euro për taksa për leje ndërtimi si dhe 7.6 milionë euro për shpronësimet që janë bërë nga ministria për pronat komunale në të kaluarën”, u shpreh ai.

Subjektet opozitare LDK-ja, PDK-ja dhe AKR-ja, e kanë kundërshtuar këtë raport duke i gjetur edhe vërejtje.

Sami Hamiti, nga LDK-ja, tha se shumica absolute e shënimeve që janë në raportin përmbledhës përfundimtar, janë një vazhdimësi e raporteve tremujore.

Ai tha se në pasqyrat që janë të paraqitura nuk pasqyrohet gjendja reale në buxhet.

“Në këtë raport nënkryetari tha që është përmbledhur një pjesë e madhe, unë po them se ka mbetë një pjesë shumë e madhe e tyre e papërmbledhur, apo e patrajtuar në këtë raport”, pohoi Hamiti.

Muhamet Selmani nga PDK-ja tha se këtë raport e ka analizuar shumë mirë. Ai tha se ky është raporti më i keq i paraqitur në tre vjetët e fundit.

“Është raporti më i keq që ka ndodhur në tre vjetët e fundit në Komunën e Prishtinës, si në realizimin e projekteve, ashtu edhe në realizimin e të hyrave vetjake. Unë e shpreh brengën time për dinamikën e realizimit të projekteve kapitale të Komunës së Prishtinës. Neglizhencës së madhe që u është bërë projekteve të vitit 2013 të bartura në 2014-ën”, theksoi Selmani.

Sipas tij qyteti i Prishtinës i ka humbur 40 milionë euro investime kapitale.

Islam Pacolli nga AKR-ja tha se kërkesa e tij që nga pjesëmarrja në asamble ka qenë që të mos ngecin investimet kapitale.

“Qysh nga fillimi i pjesëmarrjes sime në asamble kam kërku që investimet kapitale të mos ngecin se është dëm. Përmirësimi i jetës së qytetarit është i domosdoshëm. Investimet kapitale e mundësojnë atë gjë”, u shpreh Pacolli.

Ndërsa, VV-ja, AAK-ja, PD-ja, Lëvizja për Bashkim, Lista Serbe, Partia e Fortë, u shprehën se me gjithë ngecjet e këtij raporti janë për miratimin e tij.

Në fund, drejtori Visar Berisha tha se të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e opozitës dhe të të gjithë asamblistëve do të merren parasysh edhe në të ardhmen, për ndërtimin e një raporti që është sa më i mirë dhe sa më tregues.