Komuna e Gjakovës Interviston 137 Shfrytëzues të Pronës së Saj

Komiteti për Politikë dhe Financa i Komunës së Gjakovës mbajti të martën mbledhjen e parë për vitin 2015. Në të u prezantua Raporti i Task-Forcës për Verifikimin e Regjistrit të Pronave Komunale.

Raportin e paraqiti Ali Tafarshiku që tregoi se task-forca ka identifikuar 308 prona komunale nga të cilat 201 me dokumentacione.

Sipas raportit, pas intervistimit të 137 shfrytëzuesve të pronës komunale gjakovare është konstatuar se në këto prona janë të vendosura 144 objekte banimi dhe 57 lokale afariste.

Raporti tregon se 90 për qind të shfrytëzuesve të këtyre pronave nuk kanë dokumentacione që ua lejojnë përdorimin e pronave komunale, 60 për qind i shfrytëzojnë ato pa vendim të kuvendit komunal, 30 për qind janë raste sociale dhe të kategorive të dala nga lufta, 30 për qind raste me të drejtë shfrytëzimi nga serbët.

40 për qind të shfrytëzuesve kanë prona dhe kanë qenë përfitues të ndihmave për rindërtim.

Raporti i plotësuar edhe me detaje tjera pas prezantimit u miratua nga Komiteti për Politikë dhe Financa dhe për të do të diskutohet në mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal.

Në mbledhjen e Komitetit për Financa nga Basri Komani, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u paraqit edhe Master-Plani për Kujdesin Parësor Shëndetësor në Komunën e Gjakovës.

Komani lavdëroi master-planin duke thënë se ai tregon qëllimin dhe vizionin e zhvillimit shëndetësor për disa vite.

Por ky master-plan u kundërshtua nga Pjetër Ndou, anëtar i Komitetit për Financa nga subjekti politik AAK që kërkoi tërheqjen e master-planit dhe rishikimin e tij, para se për të të diskutohej në kuvendin komunal.

Por për këtë master-plan u vendos që të flitet në mbledhjen e  Kuvendit Komunal që do të mbahet nga fundi i muajit, pas sugjerimeve dhe ideve shtesë të dhëna për këtë plan nga kryesuesi Luan Gola.

Në mbledhjen e Kuvendit komunal u vendos të diskutohet edhe për kërkesën e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Radoniqi” për kthimin e një parcele të saj në hapësirë për sistemimin e automjeteve të kësaj kompanie.

Në tetor të vitit të kaluar Komuna e Gjakovës zbuloi një numër të madh banesash që ishin pronë e saj, por nuk ishin identifikuar më herët si të tilla.