Komisioni për Legjislacion Diskuton për Institucionet e Pavarura

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës vendosi të martën që t’ua kushtojë një mbledhje të veçantë funksionimit të institucioneve të pavarura.

Më së shumti gjatë kësaj mbledhjeje u diskutua për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, pasi në rend dite njëra nga pikat ishte njoftimi i Komisionit lidhur me funksionimin e institucioneve të pavarura.

Kryetarja e Komisionit Albulena Haxhiu njoftoi anëtarët e tij se ka pranuar një dosje nga KGjK-ja.

“Ne kemi marrë një dosje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës me një avokat dhe disa gjyqtarë të gjykatave themelore në Kosovë,” tha Haxhiu.

Ajo e konsideroi jo të drejtë këtë veprim të KGJK-së.

“Konsideroj që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, pavarësisht se ndoshta ka pasur qëllim të mirë nuk ka të drejtë t’i propozojë emra Komisionit për Legjislacion, sepse kjo është kompetencë e Komisionit dhe Kuvendit,” tha Haxhiu.

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se pika e funksionimit të institucioneve të pavarura duhet të trajtohet kujdesshëm.

“Mendoj që duhet të jemi të kujdesshëm dhe kjo pikë e rendit të ditës të trajtohet në mënyrë të veçantë. Në një mbledhje të veçantë, të jetë e vetmja pikë e rendit të ditës dhe të shofim se si mund të procedojmë,” tha Zemaj

Edhe anëtarja e Komisionit nga radhët e AAK-së Melihate Tërmkolli u përfshi në diskutimet për KGjK-në.

“Kemi të bëjmë me një institucion i cili është kritikuar shumë, ka pasur shumë probleme dhe është një institucion ku ka shumë probleme, fusha e drejtësisë,” tha Tërmkolli.

Pas diskutimit komisioni vendosi që për pikën e funksionimit të institucioneve të pavarura të diskutohet në një mbledhje të veçantë dhe në të të ftohet edhe kryesusi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci.

Komisioni u mor edhe me shqyrtimin dhe miratimin e dy projektligjeve tjera- ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 04/L-051 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Projektligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit u mor vendim që të miratohet në parim dhe pastaj për të të formohen grupet punuese.

Edhe Projektligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës u miratua në parim.

Në komision u diskutua lidhur me kërkesën e Avokatit të Popullit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Avokati kërkon të ndryshohet afati i paraparë gjatë të cilit ai mund t’i drejtohet me shkresa kësaj gjykate.

Gjithashtu u vendos që të mbahet një mbledhje e përbashkët e Komisionit me shoqërinë civile, mbledhje në të cilën do të adresohen shqetësimet e shoqërisë civile lidhur me Komisionin e Legjislacionit.

Njëra nga pikat e rendit të ditës ishte edhe kërkesa e Lëvizjes “Çohu”që anëtarët e Agjencisë Kundër Korrupsion deklaratat për pasurinë e tyre t’ia dorëzojnë Komisionit për Legjislacion.