Kërkohet Bashkëpunim Ndër-Komunal Për Rrezikun Ndaj Qenve Endacakë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka vizituar familjen Jasharaj në Fushë Kosovë për t’u shprehur ngushëllime pas humbjes tragjike të jetës së djalit të tyre, nga kafshimi i qenve endacakë.

Po ashtu, kryeministri Mustafa tha se Qeveria do të përkushtohet së bashku me pushtetin lokal që tragjedi të tilla mos të ndodhin më.

“Është një humbje dhe dhimbje e madhe për të gjithë ne, sepse fjala është për një të ri, por edhe për gjendjen shumë të rëndë sociale të këtyre familjeve, të cilat për shkak të mungesës së artikujve elementarë, fëmijët detyrohen të kërkojnë ushqimet edhe nëpër kontejnerë dhe mbeturina dhe, kjo flet sa është përgjegjësia jonë që ne të bëjmë ndryshime në këtë vend, në mënyrë që njerëzve t’u sigurojmë jetë normale, në mënyrë që t’i mbrojmë fëmijët nga rreziku që iu kanoset çdo ditë, edhe nga qentë, edhe nga rreziqet tjera”, theksoi kryeministri Mustafa.

Kryetari i komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha tha se rastet e tilla janë tipike sociale që mund të përsëriten kudo në Kosovë.

Ai ka shtuar se vetëm këtë vit kanë trajtuar rreth 500 qenë, dhe sipas tij “nuk ka ndonjë mundësi për eliminimin total të tyre, nëse nuk bëhet  një Plan i Përgjithshëm, ku trajtimi i tyre duhet të shkoj bashkërisht edhe në Prishtinë, edhe në Lipjan, edhe në Fushë Kosovë dhe të gjitha komunat tjera” tha Berisha.