Hungaria Kthen Emigrantët Përmes Aeroportit të Prishtinës

E plotësuar

Fahrije Tërnava nga Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar pvr KALLXO.com se sot janë riatdhesuar 30 persona që janë kthyer nga Hungaria.

18:55

Një aeroplan special ka sjellë sot pasdite në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” një grup të emigrantëve të cilët ishin zënë duke kaluar ilegalisht kufirin në rrugën për të kërkuar jetë më të mirë në vendet perëndimore.

Aeroplani që shihet në fotografi të KALLXO.com ka ateruar rreth orës 15:40 në Sllatinë.

Emigrantët të cilët sot u kthen në Kosovë, treguan për rrugën e vështirë të cilën ata e kishin kaluar.

“Na kanë trajtuar më keq se një qenë, as bukë s’ kemi pas me hëngër”, tha një i sapokthyer, rreth moshës 20 vjeçare, i cili nuk deshi që të prezantohej.

Ai tha se në burgun e Hungarisë ka qëndruar për gjashtë javë. I riu tregoi se me rreth 500 euro ishte nisur nga Kosova përmes Serbisë që të dilte ne Austri, kur edhe ishte zënë nga policia hungareze.

Ai tha se këtë rrugë nuk do të ia preferonte as një të riu.

Nga të kthyerit, shumica ishin djem të rinj, të cilët nuk donin as të prononcoheshin e as të tregonin rrëfimin e tyre.

Ndërsa Isuf Isufi nga Komuna e Podujevës, i cili kishte dalë në Aeroportin e Prishtinës që ta presë djalin e tij që ishte nisur rreth një muaj më parë për në Gjermani, tha se ai nuk kishte as para të mjaftueshme me vete.

“150 euro ia kemi dhënë me vete, edhe ato i ka fituar vetë me punën e tij, dhe u nis, donte një jetë më të mirë”, tha Isufi.

Ai u shpreh se nuk beson që djalit të tij do i mjaftonte që vetëm një herë të provonte të emigronte jashtë Kosovës.

“Ka për ta provuar prapë, edhe pse ne nuk duam, por ai prapë ka me provu. Këtu (në Kosovë) nuk ka asgjë, s’ka punë, s’ka siguri, s’ka asgjë”, tha Isuf Isufi.

Ai tha se i mban gjashtë anëtarë të familjes me një ndihmë sociale prej 60 euro.

E për djalin e tij, i cili nuk deshi as që të prezantohej, rruga drejt Evropës si duket nuk ishte e vështirë, edhe pse ai u kthye mbrapa.

“Jo bre, për kështu dal prapë”, ishte deklarata e tij, duke mos dashur që të fliste më shumë.

KALLXO.com ka mësuar se gjatë ditës së sotme është kthyer edhe një grup tjetër i emigrantëve nga Gjermania, përmes një linje speciale ajrore.