Fëmijët të Rriten në Ambiente Pa Dhunë

Autoritetet e larta të drejtësisë në Kosovë u zotuan se do të mbrojnë fëmijët dhe familjet e tyre, sidomos kur janë viktima të krimit.

Java e vetëdijesimit për të drejtat e viktimave të krimit që nisi sot me një konferencë në Prishtinë organizohet nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ambasada amerikane në kryeqytetin kosovar.

Me këngët “Duam Lumturinë” dhe “We are the World”, kori i fëmijëve “Xixëllonjat” hapi këtë javë, tema e së cilës sivjet është “Fëmijët nuk kanë nevojë të njohin dhunën”.

Në këtë aktivitet u diskutua se ekzistojnë shumë faktorë që ndikojnë për të keq në jetët e fëmijëve, duke filluar nga dhuna familjare e deri te rreziku potencial nga keqpërdorimi i internetit, ndërsa morën shumë prokurorë, gjyqtarë dhe autoritete tjera nga sundimi i ligjit

Abuzimi i fëmijëve, puna e tyre, trafikimi, përdorimi i drogës, dhuna e të rinjve dhe dhuna në shkollë do të jenë disa nga temat që do të diskutohen gjatë kësaj jave.

Në materialin vetëdijesues për fëmijët, nuk u lanë anash të përmenden rreziqet që mund të vijnë nga interneti dhe në veçanti nga përdorimi i rrjeteve sociale.

Sipas disa ligjëratave të mbajtura me nxënës të klasave 6-9, në disa zona rurale të Kosovës, ka rezultuar se prindërit kanë fare pak, ose nuk kanë fare kontroll, se cilat uebfaqe i vizitojnë fëmijët e tyre.

Organizatorët kanë anketuar 229 fëmijë në disa shkolla dhe rezultoi që 90 për qind e fëmijëve kalojnë së paku një deri në tri orë në internet, ku 98 për qind e tyre përdorin Facebook-un.

Anketa nxori se 45 e të anketuarve kanë thënë se kanë pranuar kërkesa për “miqësim” nga të huajt dhe në 20 për qind të tyre u është kërkuar takim.

Kryeprokurori i shteti, Aleksandër Lumezi u tha të pranishmëve se të drejtat e viktimave të krimit janë të garantuara me kushtetutë të vendit dhe se zyra e tij do të jetë e gatshme për të realizuar këto të drejta sidomos kur janë fëmijët në pyetje.

“Fëmijët për zhvillimin e plotë dhe të harmonishëm të personalitetit, duhet të rriten në një mjedis familjar, në një atmosferë lumturie, dashurie dhe mirëkuptimi,” tha Lumezi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se institucionet vendore duhet të t’i trajtojnë me dinjitet rastet e viktimave të krimit, e sidomos kur viktima të tilla janë fëmijët.

“Duhet të punojmë për të gjitha viktimat që kanë vuajtur,” tha Mustafa.

Ligji për kompensimin e viktimave të krimit ka hyrë në fuqi më 30 qershor 2015.