BB dhe Shoqata e Bankave, Edukim Financiar të Qytetarëve Kosovarë

Programi i edukimit të qytetarëve nga Banka Botërore (BB) dhe Shoqata e Bankave të Kosovës, ka shënuar ecuri pozitive sipas BB.

Duke vlerësuar pozitivisht programin dhe bashkëpunimin me Shoqatën e Bankave dhe për historikun deri në këtë fazë të këtij programi, foli Elira Sakiqi, zyrtare e International Finacial Corporation (IFC), pjesë e grupit të Bankës Botërore për Shqipëri dhe Kosovë.

“Para se të vijmë në këtë fazë neve si IFC kemi punuar gjatë gati një vit e gjysmë për të bërë një punë kërkimore kualitative dhe cilësore dhe për të parë cilat janë nevojat dhe mungesat dhe si mund të ndërhyjmë ne për të ndihmuar që të kemi realisht një edukim financiarë të qenësishëm”, tha ajo.

Sakiqi tha se një nga faktor shumë i rëndësishëm i këtij programi që duket modest dhe i vogël është synimi që qytetarët e Kosovës të edukohen se si duhet të veprojnë për të menaxhuar sa më mirë të ardhurat e tyre.

Ajo përmendi edhe nevojën Greqisë për edukim financiar.

“Për të bërë ironi jo të këndshme në situata të tilla financiare në botë dhe aktualisht ne vendin fqinj në Greqi, ndoshta do t’ju bënte mirë edhe atyre t’u jepnim pak edukim financiar”, tha ajo.

Petrit Balija, drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, foli për marrëveshjen me IFC-në që i hapi rrugë projektit që ka për qëllim edukimin financiar të qytetarëve.

“Shoqata e Bankave të Kosovës duke nënshkruar marrëveshjen në korrik të vitit 2014 hodhi hapin e parë të këtij projekti duke treguar kështu një përkushtim për edukimin financiar të klientëve bankarë në Kosovë. Qëllimi i projektit është që të ndihmojë në rritjen e aftësive dhe njohurive të klientëve ekzistues dhe klientëve potencial sidomos atyre të marxhinalizuar dhe që nuk kanë qasje shumë në informata financiare”.

Balija tha se për përgatitjen e këtij projekti dhe konform nevojave është përfshirë një studim i gjerë i edukimit financiar me synim që të masë nivelin aktual të edukimit financiar të popullatës.

Në bazë të studimit të bërë në këtë projekt rezulton që në Kosovë, 78 për qind e respodentëve nuk mbajnë evidencë për shpenzimet mujore, 44 për qind e huamarrësve janë të mbingarkuar me borxhe, ndërsa 14 për qind shpenzojnë më shumë se të ardhurat e tyre mujore.

Vetëm 32 për qind e respodentëve kuptojnë normën efektive të interesit dhe vetëm 25 për qind kuptojnë faktorët që ndikojnë në normën efektive të interesit.

Jan Peter Olters Drejtor i Bankës Botërore për Kosovën foli për mbështetjen e mëtejshme që BB-ja do t’i japë këtij programi.

“Banka Botërore planifikon ta mbështesë Bankën Qendrore për ta zgjeruar infrastrukturën së bashku me donatorët tjerë për të themeluar qendrën e trajnimit ku do të ligjërohet edukimi financiar”, tha Olters.

Në fund BB shpërndau edhe certifikata mirënjohje për të gjitha bankat komerciale për “përkushtimin” e tyre në edukimin e klientëve.