3 Vjet Burg dhe 200 Mijë Euro Gjobë për Pashk Mirashin

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor të akuzuarin kryesor për keqpërdorim të detyrëz zyrtare, mashtrim e falsifikim, Pashk Mirashi, dhe e ka dënuar atë me 3 vjet burg.

Në vendimin e gjykatës thuhet se Mirashi gjithashtu detyrohet t’ia kompensojë Bankës Kreditore shumën prej 200 mijë euro.

Fajtor është shpallur edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Merdijan Kukleci, i cili është dënuar me dhjetë muaj burg me kusht.

Mirashi e Kukleci akuzoheshin edhe për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve. Pashk Mirashi ishte drejtor i Bankës Kreditore-dega në Gjakovë ndërsa Merdijan Kukleci mbikëqyrës i bankave në Bankën Qendrore të Kosovës.

Mirashi akuzohej se nga banka që drejtonte ka dërguar në llogari të bashkëshortes së tij një shumë të konsiderueshme parash në mënyrë të paautorizuar.

Sipas aktakuzës ai më 12 janar 2006 ka shpërdoruar pozitën pasi që përkundër faktit që nuk ka qenë i autorizuar ka bërë deponimin në para të gatshme të 200,000 mijë eurove në llogarinë e bashkëshortes së tij Miriana Mirashi.

Pas katër ditësh Miriana Mirashi pikërisht nga arka me numrin 58 tërhoqi 150 mijë euro. Ajo të njëjtën ditë e bëri edhe tërheqjen e 50 mijë eurove tjera të deponuara, në degën prizrenase të Bankës Kreditore.

Mirashi këtë deponim e kishte bërë me qëllim të përfitimit të paligjshëm pasuror, ndërsa në fletën e deponimit nuk kishte hedhur nënshkrimin e tij.

Sipas akuzës  Merdijan Kukleci akuzohet se me Mirashin ka lidhur kontratë për shitblerjen e një vetureje nën çmimin e saj real, duke e dëmtuar në këtë rast Bankën Kreditore.

Aktakuza precizon se makina e tipit VV Passat kishte vlerën 13 mijë euro, ndërsa në kontratë vlera e saj kishte rënë në 5 mijë e 200 euro.

Pikërisht ngritja e aktakuzës ndaj dy të pandehurve nga prokurori tashmë i dënuar, ka ngriti tensione në gjykatë ne çdo séance  kur u përballën mbrojtja e Pashk Mirashit me prokurorinë.

Nazmi Mustafi u dënua me 5 vjet burg dhe 10 mijë euro gjobë në maj të vitit të kaluar për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa lënda e tij është aktualisht në Gjykatën e Apelit.

Prokuror në aktakuzën kundër Mirashit e Kuklecit ishte  Reshat Millaku.

Trupi gjykues sot pas dhënies se verdiktit palët i paralajmëroi me te drejtën e ankesës ne Gjykatën e Apelit.