150 Dëshmitarë në Rastin “Stenta”, Hetohen edhe Bizneset

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Besim Kelmendi, pas nëntë muajve që ka dhënë urdhër për arrestimin e mjekëve për rastin “Stenta”, ka folur për Kallxo.com edhe për hetime të reja për këtë rast.

“Janë duke u hetuar edhe te dyshuar tjerë si dhe biznese tjera private”, tha prokurori Kelmendi.

Ai tha se për shkak se hetimet janë zgjeruar, në këtë rast nuk ka të ngritur aktakuzë nga ana e prokurorisë.

“Hetimet ende nuk kanë përfunduar dhe nuk është ngritur aktakuzë”, deklaroi Kelmendi.

Në mesin e të dyshuarve të rastit “Stenta” është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, aktualisht ministër që udhëheq dikasterin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Edhe pse Agani ishte ftuar në prokurori për rastin “Stenta” më 12 dhjetor, kur kishte dorëzuar detyrën e ministrit të Shëndetësisë pasardhësit të tij Imet Rrahmani, kishte mohuar të jetë duke u hetuar për këtë rast.

“Dua t’ju them se përfundimisht nuk bëhet fjalë për kurrfarë hetimi ndaj meje. Përfundimisht unë asnjëherë, në asnjë moment, në tërë këtë skandal që po e përmendin dhe që është emëruar skandali i ‘“Stenta”-ve, unë asgjë me shkrim nuk kam pasur nga institucionet zyrtare, shtetërore të prokurorisë, madje as ftesë nuk kam pasur”, pati deklaruar Agani.

Por prokurori Special, Besim Kelmendi që po heton këtë rast, ka folur edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani.

“Është i përfshirë në hetime [Ferid Agani], por ende nuk ka aktakuzë, për shkak se hetimet janë ende duke vazhduar”, deklaroi ai.

Prokurori Kelmendi tha se është një numër i madh i personave që janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve për rastin “Stenta”.

“Mbi 150 dëshmitarë dhe po merren në pyetje edhe dëshmitarë tjerë, varësisht prej hetimeve tjera”, tha ai.

Ndryshe më 10 tetor 2014, Kallxo.com kishte publikuar SMS-të e mjekëve të arrestuar për rastin “Stenta”.

Të dyshuar në këtë rast, përveç ish ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, janë edhe sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, dhe ish-drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi.

Të dyshuarit e tjerë, mjekë të QKUK-së dhe spitaleve private, janë Lulzim Brovina, Borçe Petrovski, Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Eefedin Muhaxheri, Murat Abazi dhe Reshat Emra.

Ata dyshohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje e ryshfetit”, “Dhënie e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike”.