1 në 4 Fëmijë Kosovarë Rrihet nga Prindërit

Hamdiu, fëmijë problematik dhe disi i ngadaltë në veprime që kërkojnë inteligjencë nën mesataren, shpesh rrihet nga Xheku, babai i tij. Dhunimi i Hamdiut nuk është i vërtetë, sepse ky i fundit është thjesht personazh i serialit humoristik “Çka ka shpia”. Por dhuna që ai pëson në jetën joreale, është një ironizim i realitetit të vërtetë të disiplinimit të fëmijëve në Kosovë, por dhe më gjerë në Ballkan.

Sipas të dhënave kryesore të Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë në Republikën e Kosovës (2013-2014), 61.4 për qind e fëmijëve të anketuar deri në moshën 14 vjeç, deklaruan se kishin pësuar dhunë psikologjike dhe/apo fizike nga familjarët gjatë muajit të fundit nga data e intervistimit.

Nga ky grup, 24 për qind, ose afërsisht 1 në çdo 4 fëmijë, pohuan se ishin ndëshkuar fizikisht, me 6 për qind të rasteve që thanë se kishin pësuar ndëshkim të rëndë fizik. Ndërsa 31 për qind e fëmijëve thanë se nuk kishin përjetuar dhunë të asnjë lloji, qoftë fizike apo psikologjike, sipas anketës së realizuar në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

Ndërsa, përgjigjet e fëmijëve nga etnitë e tjera (romë, shkali dhe egjiptianë), të cilat janë trajtuar në një pyetësor më vete, raportuan për dhunë fizike në masën 40 për qind, pra për 4 fëmijë në çdo 10 syresh.

Sipas të njëjtit vrojtim të UNICEF, kultura e disiplinimit të fëmijëve përmes dhunës është e përhapur, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera të Ballkanit.

Në Malin e Zi, 69 për qind e fëmijëve të intervistuar (viti 2013) deklaruan se kishin qenë viktima të dhunës psikologjike apo fizike. Nga ky numër, 30.8 për qind – pra gati 1 në 3 fëmijë – deklaruan se mbi ta ishte ushtruar dhunë fizike, e cila ishte e natyrës së ashpër për 2 për qind të rasteve.

Vetëm 16 për qind e fëmijëve të anketuar në vendin fqinj, deklaruan se ndaj tyre nuk ushtrohej asnjë formë e disiplinimit të dhunshëm. Çuditërisht, familjarët e rritur të shprehur në favor të disiplinimit të dhunshëm, ishin në përqindje shumë të vogël.

“Vetëm 7 për qind e të anketuarve në familje besonin se ndëshkimi fizik ishte pjesë e nevojshme e edukimit të fëmijëve, çka përbën një kontrast të theksuar me normën e përhapur të disiplinimit fizik”, thuhet në shënimet e UNICEF për Malin e Zi.

Në Serbi, 39 për qind e fëmijëve u përballen me dhunë psikologjike, ndërsa 17 për qind pohuan se kishin pësuar edhe ndëshkim fizik. Sipas të dhënave të vitit 2014, vetëm 1 për qind e fëmijëve deklaruan se ishin përballur me dhunë të ashpër fizike.

Dhuna e ashpër fizike nënkupton goditjen e fëmijës në kokë, veshë apo fytyrë, apo goditjen e fëmijës me forcë dhe në mënyrë të përsëritur. Kjo anketë ndërkombëtare ende nuk realizohet në Shqipëri si dhe në vende të tjera.