Statuja e dëmtuar e Miro Bareshiçit ne Drage. Foto: Facebook

‘Përgjaket’ Dora e Statujës së Vrasësit Kroat të Diplomatit

Njëra dorë e statujës së Bareshiçit u lye në mënyrë simbolike me ngjyrë të kuqe gjaku të shtunën në qytetin bregdetar Drage, vetëm një javë pasi ministrat e Qeverisë kroate morën pjesë në inaugurimin e monumentit.

Nuk dihet ende se kush e bëri këtë, por Antifa Shibenik, një grup që promovon antifashizëm dhe barazi, shkroi në ‘”Facebook” se statuja, e cila shkaktoi debate në ish-rajonin jugosllav, më në fund “ishte realizuar plotësisht”.

“Ne morëm një fotografi të monumentit të përfunduar të vrasësit ustash Miro Bareshiç”, tha grupi Antifa Sibenik.

Bareshiç u dënua me burgim të përjetshëm nga autoritetet suedeze për vrasjen e ambasadorit jugosllav Vladimir Roloviç në Stokholm në vitin 1971. Ai vdiq në luftë në vitin 1991.

Ministri i Veteranëve të Luftës Tomo Medved ishte një nga dy zyrtarët nga Qeveria aktuale e përkohshme që mori pjesë në inaugurimin e statujës dy metra të lartë, duke e përshkruar Bareshiçin si një patriot i cili luftoi për një Kroaci të pavarur.

“Miro Bareshiç është një prej patriotëve më të mëdhenj kroat, punën dhe sakrificën e të cilit duhet ta respektojmë”, tha Medved në ceremoni.

Serbia dhe Mali i Zi reaguan ashpër ndaj vendimit për të ngritur një monument për një njeri që ata e quajtën “terrorist”, duke i dërguar nota proteste Qeverisë kroate.

Megjithatë, një nga kushërinjtë e Bareshiçit, Ante, që ndërmori projektin për ngritjen e statujës, tha për gazetën e përditshme kroate “Slobodna Dalmacija” se i afërmi i tij ishte një luftëtar për liri.

“Unë besoj se Miro nuk ishte një terrorist dhe as ustash (fashist kroat i Luftës së Dytë Botërore), gjë që s’mund të ishte për shkak të datës së tij të lindjes (1950). Por ai ishte një nacionalist kroat dhe një luftëtar për liri për shtetin kroat . Dhe kushdo që mendon, nuk po thotë të vërtetën”, tha Bareshiç.

Bareshiç u lirua nga burgu në Suedi në vitin 1972 pasi një aeroplan i “Scandinavian Airlines” u rrëmbye nga militantë të armatosur kroatë për të përmbushur kërkesat e rrëmbyesve.

Atij iu dha leje të hynte në Paraguai, i cili në atë kohë njihej që shërbente si një vend fshehjeje për njerëz që kërkoheshin si mjeku nazist Joseph Mengele dhe diktatori ushtarak i rrëzuar i Nikaraguas Anastasio Somoza Debayle.

Në vitet 1977 dhe 1978, ai madje punoi me identitet të rremë si shpurë dhe përkthyes për ambasadorin e Paraguait në SHBA.

Autoritetet amerikane kërkuan ekstradimin e tij nga Paraguai në vitin 1979, nën dyshimin se ai ishte i përfshirë në zhvatje parash nga emigrantët kroatë në SHBA.

Pasi akuzat kundër tij u rrëzuan, ai u ekstradua në Suedi në vitin 1980.

Dënimi i tij u reduktua në 18 vjet burg në vitin 1985 dhe ai doli nga burgu në vitin 1987 dhe u kthye në Paraguai, ku jetoi derisa u kthye në Kroaci në vitin 1991.

Ai u vra nga forcat rebele serbe në jug të Kroacisë më 31 korrik të atij viti.