Bedri Hamza në dy komisione | Foto: KALLXO.com

Për Tre Muaj mbi 2 Milionë Euro Shpenzime të Rezervave

Komisioni për Buxhet dhe Financa së bashku me Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike janë mbledhur për të diskutuar me ministrin e Financave Bedri Hamza shpenzimet e paparashikuara për vitin 2018.

Ministri Hamza tregoi se për tre muaj janë shpenzuar mbi 2 milionë euro nga rezervat shtetërore.

“Nëse për tre muaj janë shpenzu më shumë se 2 milionë, nuk pres që edhe këtë vit të arrijë shuma më e lartë sesa e viteve të kaluara”, tha Hamza.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa Lumir Abdixhiku e pyeti ministrin se për cilat projekte është shpenzuar shumica e buxhetit rezervë dhe çfarë kritere janë përdorur për ndarje të mjeteve të tilla.

“Mesatarisht 7 deri 8 milionë është shpenzu viteve të fundit rezerva shtetërore”, tha ministri Hamza.

Ai më tutje tregoi se në qeverinë aktuale deri tash janë shpenzuar më shumë mjete nga rezervat shtetërore.

“50 për qind e rezervës këtë vit është shpenzu për adresimin e përkohshëm për çështjen e KOSTT-it. Konsideroj që kjo çështje për të cilën janë ndarë 1 milion është vetëm prolongim i problemit nuk është zgjidhje e problemit”, tha Hamza.

Ministri bëri të ditur ku janë shpenzuar rezervat tjera shtetërore.

“Janë shpenzu për Flakën e Janarit, 10 vjetorin e pavarësisë, Epopenë e UÇK-së, shenjimin e kufirit shtetëror, familje të rrezikuara për komunitetet, restaurimi i kishës katolike në Prizren për Vitin e Skënderbeut”, tha ministri Hamza.

Driton Selmanaj e Dardan Molliqaj e pyetën ministrin se si është e mundur që buxheti rezervë të shkojë kryesisht për gjëra të parashikueshme.

“Është problem i përsëritur. Ajo që shihet nga raportet shpenzimet e paparashikueshme shpenzohen për aktivitete të parashikueshme”, tha Molliqaj.

Ai parashikoi që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT)të kërkojë edhe mjete tjera nga qeveria. E pyeti ministrin se si do të zgjidhet kjo situatë.

“Çështja e KOSTT-it është çështje më ndryshe, për tjerat nuk është mirë që në fillim të janarit me ardhë me kërkesë për ndarje të buxhetit. Kërkoj prej gjitha organizatave buxhetore që ti bëjnë planifikimet me kohë”, tha Hamza.

Ministri i Financave tha se për Kosovën do të ishte zgjidhje e mirë financiare zbatimi i marrëveshjes së energjisë nga Serbia.

Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje Hamza parashikoi shpenzime edhe nga ana kosovare.

Ministri Hamza në mbledhjen e qeverisë më 9 mars reagoi për shpenzimin e rezervave shtetërore.

Tha se për Vitin e Skënderbeut duhet të ndahen veetëm 500 mijë euro, e jo 943 mijë siç kishte kërkuar Kryeministri Haradinaj.

http://kallxo.com/qeveria-ndan-500-mije-euro-per-vitin-e-skenderbeut/