Seanca në rastin e shpërthimit të bombolave të gazit në Prishtinë - Foto: KALLXO.com
Për Shpërthimin Tragjik të Bombolave të Gazit Dëshmon i Akuzuari
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Armend Krasniqit, avokatit të të akuzuarit Muhamet Prapashtica për të dëgjuar ndonjë ekspert të zjarrit, i cili do të jepte një vlerësim se çfarë ka mundur të ndikojë në shpërthimin e bombolave të gazit, aksident që la të vdekur dy persona.
Sipas aktakuzës, nga shpërthimi i bombolës së gazit që ndodhi më 15 mars 2008, në Prishtinë, vdiqën Bekim Muharremi dhe Ismajl Sadiku dhe u lënduan Naser Dragusha, Meriton Demiri dhe Abbade Aylew.
“Trupi gjykues mori aktvendim që të refuzohet kërkesa e mbrojtësit të të akuzuarit Muhamet Prapashtica për caktimin e ekspertit të zjarrit pasi që Gjykata konsideron se ka prova të mjaftueshme me anë të të cilave janë përcaktuar shkaqet e zjarrit”, tha kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti.
Kërkesën e avokatit e ka kundërshtuar edhe prokurorja e rastit, Ferdane Sylejmani.
E në këtë seancë në pyetje u mor i akuzuari Muhamet Prapashtica, njëkohësisht pronari i kompanisë “M-Gas Petrol” në atë kohë.
Dëshminë e tij, Prapashtinca e filloi duke shprehur keqardhje dhe ngushëllime për familjet e viktimave të rastit.
I akuzuari Prapashtica deklaroi se në kohën e shpërthimit kishte qenë në shtëpi dhe ishte lajmëruar nga vëllai për shpërthimin e bombolës në pompën e tij. Ai tha se kishte shkuar me vrap në vendin e ngjarjes, ku Policia nuk e kishte lejuar të afrohej për shkak të rrezikut.
Dëshmitari deklaroi se për shërimin e të lënduarve, Naser Dragusha dhe Meriton Demiri, kishte arritur të siguronte shumën prej 62.000 euro nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa nga Komuna shumën prej 10.000 euro, do të thotë nga 36.000 për secilin.
“Gjersa në mbramje isha në spital e takova një mjek të duhur dhe ai më tha se gjendja e të lënduarve është e rëndë dhe duhesh me bo diçka për me i dërgu jashtë. Të nesërmen kam thirrë përmes disa miqve të mi në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Komunë të Prishtinës, dhe pas dy-tri ditëve janë siguruar mjetet e nevojshme për dërgimin e dy të lënduarve në Turqi”, deklaroi i akuzuari Prapashtica.
Muhamet Prapashtica gjatë dëshmisë së tij fajësoi punëtorin kompanisë “P-Gas”, pasi që i njëjti e kishte gënjyer pronarin e kompanisë “P-Gas”, tani të akuzuarin Besnik Sadiku, se dinte ta bënte zbrazjen e gazit nga autoboti në rezervuar statik edhe pse kishte filluar të punonte vetëm një javë para se të ndodhte rasti.
Për sa i përket licencës së kompanisë “P-Gas”, i akuzuari Prapashtica deklaroi se të gjithë dokumentet i kishte pasur në rregull dhe ishte në pritje të kamionit të cilin e kishte dërguar në Shkup për servisim, kusht ky i cili duhej plotësuar për lëshimin e lejes së punës nga Ministria e Tregtisë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, një bombol gazi e cila shpërtheu më 15 mars 2008 në Prishtinë gjatë furnizimit të pompës së derivateve të kompanisë “M-Gas Petrol” nga një autocisternë e firmës “P Gas”, shkaktoi vdekjen e Bekim Muharremit dhe Ismajl Sadikut dhe lëndimet e Naser Dragushës, Meriton Demirit dhe Abbade Aylew-it.
Lidhur me këtë shpërthim, Muhamet Prapashtica pronar i “M Gas Petrol” dhe Besnik Sadiku pronar i “P-Gas”, po akuzohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, ndërsa Faton Canolli akuzohet se ka punuar pa kontratë pune si vozitës dhe pa trajnimet e nevojshme për transport dhe bartje të lëndëve të rrezikshme dhe gjatë furnizimit me gaz, nga pakujdesia ka ardhur deri te eksplodimi i gazit.
Lidhur me këtë shpërthim akuzohen edhe Ahmet Frangu si kryeinspektor dhe Nafije Osmani si inspektore tregu. Ata dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën e tyre zyrtare duke lejuar kompanitë e sipërpërmendura të ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa leje.
Të pandehurit Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani akuzohen se kanë kryer veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit.
Sipas aktakuzës, Frangu në cilësinë e shefit të Inspeksionit të Tregut në Komunën e Prishtinës ka shpërdoruar detyrën duke ia mundësuar firmës “M-Gas Petrol“ të përfitojë dobi pasurore me lejimin të ushtrojë veprimtarinë e saj pa leje valide.
KALLXO.com ka raportuar edhe më parë nga ky rast gjyqësor. Raportet e kaluara mund t’i gjeni në këtë link.
Redaktoi: Naser Sertolli