Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Mungon Gjykatësja, Shtyhet Gjykimi për Shpërthimin

Ndonëse kanë kaluar 9 vjet nga shpërthimi i bombolave të gazit, i cili qe fatal për dy persona në Prishtinë, gjykimi i këtij rasti nuk ka përfunduar ende në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Seanca e paraparë të mbahej të enjten u shty në mungesë të anëtares së trupit gjykues Shpresa Hasaj-Hyseni.

Kjo mungesë bëri që seanca ku të akuzuar janë Muhamet Prapashtica, Besnik Sadiku, Faton Canolli, Ahmet Frangu dhe Nafije Osmanit të shtyhet për në muajin prill.

Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti duke i njoftuar të pranishmit për arsyen e shtyrjes së seancës tha se gjyqtarja Hasaj-Hyseni nuk ka mundur të paraqitet në seancë për shkak të një obligimi personal.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, një bombolë gazi e cila shpërtheu më 15 mars 2008 në Prishtinë gjatë furnizimit të pompës së derivateve të kompanisë “M-Gas Petrol” nga një autocisternë e firmës “P Gas”, duke shkaktuar vdekjen e Bekim Muharremit dhe Ismajl Sadikut dhe lëndimin e Naser Dragushës, Meriton Demirit dhe Abbade Aylew-it.

Lidhur me këtë shpërthim, Muhamet Prapashtica pronar i “M Gas Petrol” dhe Besnik Sadiku pronar i “P-Gas” po akuzohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, ndërsa Faton Canolli akuzohet se pa kontratë pune ka ushtruar veprimtarinë e shitjes së gazit si shofer.

Lidhur me këtë shpërthim, akuzohen edhe Ahmet Frangu si kryeinspektor dhe Nafije Osmani si inspektore tregu. Ata dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën e tyre zyrtare duke lejuar kompanitë e sipërpërmendura të ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa leje.

Të pandehurit Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani akuzohen se kanë kryer veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit.

Sipas aktakuzës, Frangu në cilësinë e shefit të Inspeksionit të Tregut në Komunën e Prishtinës ka shpërdoruar detyrën duke ia mundësuar firmës “M Gas Petrol“ të përfitojë dobi pasurore duke e lejuar të  ushtrojë veprimtarinë e saj pa leje valide.

Për arsye të njëjta akuzohet edhe Nafije Osmani, e cila në cilësinë e inspektores të tregut duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ka lejuar kompaninë “P Gas“ të përfitojë pasuri në mënyrë të kundërligjshme duke ushtruar veprimtarinë e saj pa leje valide.

KALLXO.com raportoi edhe nga seanca e kaluar, në të cilën dëshmoi njëri prej të akuzuarve.

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-e-shperthimit-qe-mori-dy-jete/

http://kallxo.com/gjykimi-per-shperthimin-e-2008-es-qe-vrau-dy-njerez/