Pasuria e Sokol Bashotës i cili po akuzohet për deklarim të rremë

Ish- kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota po përballet me proces gjyqësor për deklarim të rrejshëm të pasurisë.

Prokurorja e Pejës, Sahide Gashi, ka hequr sot dorë nga ndjekja penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj të akuzuarve Sokol Bashota, Esat Raci, Fadil Gashi dhe Enver Berisha.

“Heq dorë nga ndjekja penale për pikën 1 të aktakuzës për shkak se nuk kemi arritur ta provojmë se (të akuzuarit) kanë ushtruar ndikim në anëtarët e asamblesë komunale”, tha prokurorja Gashi në seancën e sotme.

Ajo kërkoi dënimin e të akuzuarve Sokol Bashota e Enver Berisha vetëm për deklarim të rremë të pasurisë.

Sa i përket deklarimit të rremë të pasurisë ajo i propozoi gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë shpall fajtorë dhe t’i denojë sipas ligjit.

Ish-kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota në deklarimin e tij të fundit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, të cilën e ka bërë në vitin 2018, ka deklaruar pasuri të paluajtshme rreth 400 mijë euro.

Në pasurinë e tij të paluajtshme ku janë përfshirë një shtëpi në vlerë 100 mijë euro e deklaruar si trashëgimi, një banesë familjare në vlerë 150 mijë euro,  një tokë në vlerë 80 mijë euro dhe një truall në vlerë  70 mijë euro.

Ndërsa si pasuri të luajtshme, ish kryetari i Klinës, Sokol Bashota ka deklaruar gjithsej 28 mijë euro, ku janë përfshirë dy vetura në vlerë 24 mijë euro dhe interier kuzhine në vlerë 4 mijë euro.

Në deklarimin e pasurisë, njëra vetura është deklaruar në emër të bashkëshortes të Bashotës, ndërsa tjera në emrin e tij, ndërsa enterieri i kuzhinës është deklaruar në emër të përbashkët.

Bashota në pasurinë e tij të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar se ka para të gatshme në institucionet financiare gjithsej 18 mijë e 327 euro, para këto të cilat janë të deklaruara në emrin e tij, bashkëshortes së tij dhe fëmijëve të tij.

Përveç parave të gatshme në institucionet financiare, Bashota ka deklaruar edhe 59 mijë e 970 euro kredi ndaj institucioneve financiare.

Të hyrat vjetore të Bashotës të deklaruara në kohës kur ishte kryetar komune ishin 14 mijë e 807 euro.

https://kallxo.com/i-akuzuari-sokol-bashota-jam-i-papune-jetoj-me-rrogen-e-gruas-dhe-djalit/

Në fjalën përfundimtare prokurorja Sahide Gashi deklaroi se Sokol Bashota e kishte fituar banesën në Kline si kandidati më i poentuar.

“I akuzuari Sokol Bashota kishte fituar banesën me poenat maksimale me 150 pikë”, tha Gashi.

Prokurorja ia numëroi pasuritë që kishte Sokol Bashota në momentin kur e kishte fituar banesën në Klinë.

“Bashota ka pasur pasuri milionëshe, tokë në Matiqan, banesë në Prishtinë, veturë Mercedes, kamion, traktor, furgon dhe të hyra vjetore rreth 20 mijë euro”, tha Gashi.

Bashota dhe tre zyrtarët e tjerë po përballeshin me akuzat e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ata akuzoheshin se në mënyrë të kundërligjshme i kishin përfituar banesat me nga 110 metra katror, me qira nga 20 euro në muaj për vetveten dhe eksponentët e partive të tyre politike.

Në aktakuzë thuhej se këtë e kishin bërë pa plotësuar kriteret objektive dhe duke i anashkaluar aplikantët me gjendje të dobët ekonomike.

Çmimi të cilin do ta paguanin katër të akuzuarit për ato banesa sipas Prokurorisë, ishte 20 euro në muaj.

Prokuroria pretendonte se Sokol Bashota si kryetar i degës së PDK-së, në Klinë, Esat Raci si sekretar i PDK-së në Klinë, Enver Berisha kryetar i degës së AAK-së dhe Fadil Gashi si kryetari i LDK-së, në Klinë kishin rënë dakord që ta ushtronin fuqinë e tyre politike për t’i siguruar votat e asamblistëve të kuvendit komunal për ndarjen e banesave.

Në aktakuzë përshkruhej se Bashota në cilësi të kryetarit të Klinës në mënyrë kundërligjore kishte emëruar pesë anëtarët e komisionit vlerësues për ndarjen e banesave duke e pasur parasysh interesin e tij personal si aplikant në atë proces.

Kryesues i atij komisioni ishte përzgjedhur Prenk Palushi i cili tani është gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë.

Në aktakuzë përshkruhej se ish- kryetari Bashota e kishe udhëzuar kryesuesin e komisionit Prenk Palushi që ta prezantonte një listë prej 10 përfituesish si të para aprovuar.

Aktakuza përshkruante se në shtator të vitit 2009 kryetari Bashota kishte marrë 9 vendime për ndarjen e banesave duke e miratuar vendimin e Kuvendit Komunal në të cilën si përfitues të atyre banesave ishin identifikuar 10 persona, duke përshirë vet Sokol Bashotën dhe tre të akuzuarit e tjerë.

Prokuroria pretendonte se pas marrjes së vendimeve përfundimtare për ndarjen e banesave, Sokol Bashota dhe Esat Raci nuk i kanë informuar fare kandidatët e pasuksesshëm, dhe i kanë fshehur dokumentet që kanë pasur të bëjnë me procesin e ndarjes së banesave.

Mbi ish-kryetarin e komunës së Klinës, Sokol Bashota, pas tërheqjes së prokurorisë nga akuza për keqpërdorim të detyrës, tani rëndon vepra penale për mos raportim apo raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave apo dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare.

Katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm rreth akuzave që rëndojnë mbi ta.

Të mërkurën më 29 maj gjykata pritet ta shpallë akgjykimin për akuzën për mos raportim apo raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave apo dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare, ndaj Sokol Bashotës dhe Enver Berishës.

 

Deklarimi i Pasurisë së Sokol Bashotës – LINK