Lutfi Haziri - Foto: KALLXO.com

Parregullsitë në ndarjen e subvencioneve nga Komuna e Gjilanit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Gjilanit në vitin 2018 ka ndarë subvencione për Teatrin e Qytetit, botimin e librit “Gjilani – terrori, represioni dhe eksodi 1944-1956” dhe Radio Gjilanin, në kundërshtim me Rregulloren komunale.

Bazuar në Rregullore komunale për subvencione, kërkohet që për realizimin e subvencionit duhet të lidhet një marrëveshje me të cilën përcaktohen të drejtat dhe detyrat mes të Komunës dhe përfituesit të subvencionit.

Në raportin e auditimit thuhet se te subvencioni i ndarë për Teatrin e Qytetit në vlerë prej 8,200 euro mungonte marrëveshja siç kërkohet me Rregullore.

Me rastin e subvencionimit të botimit të librit “Gjilani – terrori, represioni dhe eksodi 1944-1956” në shumën 500 euro, përfituesi nuk kishte sjell kurrfarë raporti në Komunë.

Por sipas Marrëveshjes për subvencionim, përfituesit obligohen të raportojnë në Komunë për mjetet e shpenzuara.

Në raport thuhet se ngjashëm kishte ndodhur edhe me rastin e subvencionimi të Radio Gjilanit në shumen prej 2 mijë euro, kur përfituesi nuk kishte sjell raportet siç kërkohet me Marrëveshje.

Sipas Auditorit, mungesa e raportimeve zbeh përgjegjshmërinë e përfituesve dhe të stafit të komunës gjatë trajtimit të lëndëve si dhe redukton mundësinë e menaxhmentit për ndërmarrjen e veprimeve efektive dhe në kohë.

“Kryetari të siguroj që me rastin e ndarjes së subvencioneve është lidhur marrëveshja përkatëse dhe përfituesit raportojnë për zbatimin e projektit”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Tejkalim i shumave të aprovuara për subvencionim

Sipas Marrëveshjes për subvencionim në mes të Komunës së Gjilanit dhe Medresesë së Mesme “Alaudin” dega Gjilan, sasia e naftës për ngrohje që e subvenciononte Komuna për këtë institucion ishte 2,500 litra.

Në bazë të faturës nga furnizuesi i derivateve, kjo shkollë në shkurt të vitit 2018 ka përfituar 3 mijë litra naftë apo 500 litra më shumë se sa është përcaktuar në marrëveshje. Medreseja “Alaudin” ka përfituar naftë në vlerë 2,910 euro apo 485 euro më shumë se sasia e përcaktuar.

Me Marrëveshje përshihet gjithashtu që Komuna e Gjilanit duhet ta transferoj vlerën e subvencionit në llogarinë bankare të përfituesit, me që rast përfituesi duhet të raportojnë për shumën e shpenzuar.

Mirëpo në rastin e Medresesë “Alaudin”, Komuna e Gjilanit ia ka transferuar paratë kompanisë furnizuese e jo përfituesit. Sipas Auditorit, kjo ka ndodhur për shkak të funksionimit jo efikas të kontrolleve me rastin e shpërndarjes dhe monitorimit të subvencioneve të dhëna.

“Kryetari, duhet të siguroj që pagesat për subvencione të jenë në harmoni me rregulloren e brendshme për ndarjen e subvencioneve, vendimet dhe marrëveshjet për subvencionim si dhe se pagesat nga kjo kategori të bëhen vetëm përfitueseve”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Ndarje subvencioneve pa shpallje publike

Sipas Rregullores komunale të subvencioneve, procesi i ndarjes së subvencioneve fillon përmes shpalljeve publike ku përcaktohen kriteret dhe procedurat e aplikimit.

Për projektin “Gëzuar Viti i Ri 2018” në vlerë 3,850 euro, Komuna e Gjilanit nuk kishte aplikuar procesin e aplikimit përmes thirrjes publike në ketë procedurë.

Në raportin e auditimit thuhet se Komuna e Gjilanit kishte filluar të aplikojë thirrje publike për subvencionim në gjysmën e dytë të vitit 2018.

Sipas Auditorit, mos respektimi i kritereve të rregullores, redukton objektivitetin dhe transparencën gjatë ndarjes së subvencioneve dhe shton rrezikun për mos arritjen e objektivave të përcaktuara të subvencionit të dhënë.

“Kryetari, duhet të sigurojë se janë vendosur kontrollet në procesin e ndarjes së subvencioneve, dhe se përfituesit i plotësojnë kriteret në bazë të cilave është lejuar subvencioni bazuar në rregullore”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!