Pamje nga seminari i organizuar nga Policia e Kosovës dhe OSBE-ja - Foto: KALLXO.com

Parandalimi i Ekstremizmit, Përgjegjësi e Gjithë Shoqërisë

Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm apo radikalizmit është përgjegjësi shumëdimensionale, është thënë sot në një seminar të organizuar nga Policia e Kosovës dhe OSBE, ku u diskutua për masat parandaluese të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm.

Fatos Makolli, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, vlerësoi se organet e sigurisë merren me luftimin e shkeljeve të ligjit nga radikalizmi i çfarëdo lloji, por nuk mund ta luftojnë ekstremizmin si fenomen.

“Ekstremizmi në vetvete nuk paraqet vepër penale dhe institucionet e sigurisë punojnë në bazë të ligjeve në fuqi dhe Kodit Penal të Kosovës. Prandaj të pretendohet se Policia e Kosovës është ajo që mundet të luftojë ekstremizmin në vetvete është joreale”, deklaroi Makolli.

Ndërkaq Naim Hoxha, nga Këshilli Nacional Kundër Krimit të Organizuar në kuadër të OSBE-së në Kosovë, konstatoi se masat parandaluese janë përgjegjësi e pjesëve të ndryshme të shoqërisë.

“Masat reaktive duhet gjithsesi të jenë të shoqëruara me përpjekjet parandaluese të fokusuara në adresimin e disa prej kushteve të favorshme për përhapjen e terrorizmit të dhunshëm. Organizatat joqeveritare, mediat, komunitetet lokale dhe çdo qytetar, individ, familjar dhe të afërm mund të luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e depërtimit të mëtejmë të këtij fenomeni në shoqërinë kosovare”, tha Hoxha.

Ndërsa, Fatos Makolli përmendi gjithashtu masat e ndërmarra nga Policia e Kosovës për përndjekjen e personave që kanë marrë pjesë në organizata terroriste dhe luftëra të huaja të thirrur në fenë islame.

Në këtë seminar dyditor, të mbyllur për mediat, do të marrin pjesë panelistë nga komuniteti fetar, shoqëria civile, personeli akademik si dhe përfaqësues nga mediat.