Drejtori që akuzohet për blerjen e dëshmitarëve për Sami Lushtakun, paraburgoset 30 ditë me dyshime të reja

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve për Skender Tahirajn, ish- kryeshef i kompanisë së pastrimit ‘Uniteti’ në Mitrovicë, raporton Kallxo.com.

KALLXO.com raportoj dje se Tahiri është edhe pjesë e aktakuzës për arratisjen e Sami Lushtakut nga Spitali i Prishtinës.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për Tahirajn për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar së ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke i sjellë kompanisë regjionale të mbeturinave “Uniteti” dëmin në shumë prej 118.000 euro.

Por kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës për të dyshuarin Skender Tahiraj është kundërshtuar nga ana e mbrojtësit të të pandehurit, avokati Behar Ejupi.

Sipas tij, nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndërsa gjatë seancës i pandehuri ka deklaruar se kompania nuk është dëmtuar për shkak të këtyre akontacioneve/paradhënieve për të cilat dyshohet pasi që, sipas tij, të gjitha paratë janë të evidentuara dhe nuk ka pasur qëllim të fshehjes, raporton Kallxo.com.

“Unë si kryeshef nuk kam marrë paga më të madhe se 230 euro, paradhëniet i kemi dhënë që të mos bllokohet puna”, ka thënë Tahiraj.

Ndërsa gjykata tha se nga provat e prezantuara nga ana e prokurorisë ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale sepse si kryeshef i ndërmarrjes “Uniteti” në Mitrovicë gjatë peridhës kohore prej vitit 2015-2018 ka keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar të përcaktuar me ligj.

“Me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete ose personat e tjerë, ashtu që i ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm në formë të akontacioneve/paradhënieve për vete shumën e parave prej 35.337.00 euro, ndërsa për punëtoret të tjerë, dëshmitarëve, shuma të ndryshme të parave. Por në anën tjetër edhe e ka dëmtuar ndërmarrjen publike”, thuhet në aktvendimin e gjykatë

Dosja për Dëshmitarë

sh-drejtor i ndërmarrjes së pastrimit “Uniteti” në Mitrovicë Skender Tahiri i cili është arrestuar dje nga policia nën dyshimet se ka keqpërdorur mjete të organizatës ka edhe probleme të tjera me ligjin.

Kallxo.com zbulon se Tahiri është person i akuzuar edhe në çështjen e EULEX-it ndaj grupit që ndihmoj arratisjen e Sami Lushtakut nga spitali i Prishtinës dhe u premtoj para dëshmitarëve në rastin Drenica.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale pretendon Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani në periudhën qershor 2013- shtator 2015 kanë ndërtuar një plan për ta detyruar Dëshmitarin F që ta japë një deklaratë të rrejshme në këmbim të një shume parash prej 109 mijë euro.

Aktakuza pretendon se përreth Sami Lushtaku dhe  Ismet Haxhës është një grup i cili ka pasur për qëllim t’i pengojë dëshmitarët e prokurorisë.

“Rrustem Rukolli, Rexhe Gjota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari e Bajram Dibrani akuzohen se prej qershorit 2013 duke vepruar nën një plan të përbashkët, nën direktivat dhe udhëzimet e Sami Lushtakut e Ismet Haxhës, akuzuarit vendosën ta formojnë një grup prej së paku tetë personave aktiviteti kryesor i të cilit ishte që t’i pengojnë dëshmitarët e prokurorisë në rastin P. 938/13” thuhet në aktakuzë.

Këta dëshmitarë sipas aktakuzës dhanë deklarata fajësuese ndaj Lushtakut e Haxhës gjatë fazës hetuese në mënyrë që t’i bëjnë ata t’i ndërrojnë deklaratat gjatë procesit gjyqësor në përpjekje për ta fituar pafajësinë për Lushtakun e Haxhën dhe lirimin e tyre nga paraburgimi.