Pantina e kushtëzon qëndrimin në komision, me shtyrjen e Ligjit për Transmetuesin Publik

Me 40 minuta vonesë filloi mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, pasi nuk kishin kuorum për ta filluar mbledhjen me kohë.

Deputetja e fundit të cilën e pritën në komision ishte Jasemina Zhivkoviç e cila mban pozitën zëvendëskryetare e dytë e komisionit.

Pasi filloi mbledhja e këtij komisioni, deputetja e vetme që kishte marrë pjesë nga opozita ishte Shqipe Pantina nga PSD-ja, ndërsa LDK dhe LVV munguan.

Pantina, qëndrimin e saj për ta bërë kuorumin në sallë e kushtëzoi me shtyrjen e Ligjit për Transmetuesin Publik nga rendi i ditës për dy javë tjera. Ajo tha se kjo është kërkesë e opozitës dhe nëse nuk respektohet nuk do të qëndroj në sallë.

“Është e qartë se dy partitë opozitare LDK dhe LVV nuk janë në takim. Kërkesa që është diskutuar të hënën ishte që Ligji për Transmetuesin Publik të shtyhet për dy javë. Kërkesa ime është që për hir të ruajtjes së bashkëpunimit pozitë e opozitë të shtyhet Ligji për Transmetuesin Publik të paktën për dy javë në mënyrë që mos t’i bllokojmë ligjet e tjera”, tha Pantina.

Nait Hasani, kryetar i komisionit, tha se nuk ka arsye që të shtyhet kjo pikë.

“Nuk ka arsye të shtyhet. Të gjithë i kanë shqyrtimet dhe tjetër është nëse nuk duan me marr pjesë. Ligji nuk bëhet për mua por për qytetarët e Kosovës. Unë jam ta vazhdojmë dhe ta përcjellim për parim”, tha Hasani.

Xhevahire Izmaku, nga PDK, tha se opozita ka mundur që të punoj në ligjet e tjera.

“Ata kanë mund me qenë këtu edhe me than që ligjin për RTK nuk po donë me shti rend dite por kanë mund me punu me ligjet e tjera”, tha Izmaku.

Rasim Selmanaj nga AAK-ja tha se nuk e sheh korrekte mos vazhdimin e kësaj pike.

“Dje në takimin që e kishim i gjithë komisioni nuk ishte ky qëndrim. Në këtë situatë s’po më duket korrekte për shkak se dje kishim dakordancë që ne me vazhdu. Dje kanë mund kolegët e opozitës me than këtë qëndrim që ju sot po e thuani”, shtoi Selmanaj.

Edhe Albert Kinolli nga 6+ tha se opozita është dashtë të jetë në komision pasi bojkoti nuk është zgjedhje e problemit.

“Mendoj se ligji për RTK nuk është në shërbim të një individi. Mendoj se bojkoti nuk është forma më e mirë e zgjidhjes së problemit. Ata është dashtë me qenë prezent dhe me shqyrtuar projektligjin dhe pikat e tjera”, theksoi Kinolli.

E Pantina, tha se dy javë nuk kanë peshë shumë të madhe në ligj ndërsa është e rëndësishme që ta dëgjojnë kërkesën e opozitës.

“Edhe si nënkryetare e komisionit po kërkoj për ruajtjen e bashkëpunimit mes anëtarëve të komisionit me përkrah kërkesën e opozitës përndryshe edhe unë nuk rri në komision për ti shqyrtuar edhe ligjet e tjera”, përfundoi Pantina.

Nait Hasani e përfundoi mbledhjen e komisionit duke thënë se nuk kanë kuorum dhe se do ta vazhdojnë mbajtjen e komisionit kur të plotësohen kushtet.