Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli pret miratimin e Beogradit për të vizituar Serbinë

Serbia pritet të vendosë nëse do të lejojë zëvendëskryeministrin e Kosovës dhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli, të hyjë në vend, për një ngjarje në të cilën e ka ftuar Këshilli Kombëtar Boshnjak i Serbisë.

Marko Gjuriq, kreu i Zyrës së Serbisë për Kosovën, tha se Serbia do të reagojë “me përgjegjësi dhe dinjitet” ndaj kërkesës së ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli për të marrë pjesë në këtë ngjarje në Serbi.

“Ata presin që ne të reagojmë në mënyrë të papërshtatshme ose me forcë … [por] do të mbrojmë dinjitetin e serbëve dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të Serbisë dhe nuk do të lejojmë që dikush të tërbohet në territorin tonë”, tha Gjuriq, të enjten, në televizionin kombëtar serb, RTS.

Këshilli Kombëtar Boshnjak i Serbisë, i cili përfaqëson pakicën boshnjake të Serbisë, ka ftuar ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli të vizitojë rajonin në jugperëndim të Sanxhakut në Serbi, zemrën e bashkësisë boshnjake në vend, më 21 dhe 22 korrik.

Ftesa, e publikuar nga ‘Kossev’, një media në veri të Kosovës, i referohet Pacollit si “zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës”, i cili mund të irritojë autoritetet serbe, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Disa tabloide serbe e quajtën ftesën një “provokim”.

Vetë Gjuriq u arrestua nga autoritetet e Kosovës në mars dhe u deportua në Serbi pasi hyri në Kosovë pavarësisht refuzimit të Prishtinës për t’i dhënë leje për ta bërë këtë. Ky veprim ngriti tensionet mes dy vendeve.

Zyra e Pacollit konfirmoi për BIRN se ata kishin paraqitur një kërkesë për leje për për të hyrë në Serbi të martën.

“Bëmë një kërkesë dje, por nuk kemi ende përgjigje”, tha një zëdhënës për BIRN, të mërkurën.

Derisa arrestimet dhe dëbimet bëjnë ballinat e gazetave në të dy vendet, në realitet, zyrtarët nga Serbia dhe Kosova bëjnë vizita të shpeshta në vendet e njëri-tjetrit.

Zyrtarët kosovarë dhe serbë kanë bërë qindra vizita të tilla në katër vitet e fundit, sipas një raporti që qeveria e Kosovës i prezantoi parlamentit.

“Prej vitit 2014 deri më tani, zyrtarët e dy qeverive kanë bërë gjithsej 227 vizita”, tha raporti i dërguar deputetëve të Kosovës javën e shkuar. “Vetëm 13 kërkesa u refuzuan nga autoritetet e Kosovës gjatë këtyre viteve”, shtoi ajo.

Qeveritë e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një marrëveshje në lidhje me vizitat zyrtare në vitin 2014.