Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Pacolli pas dështimit në INTERPOL: Sot nuk fitoi Serbia, por fitoi e keqja

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar për mospranimin e Kosovës në INTERPOL duke thënë se puna e madhe nuk i është shpërblyer.

“Sot nuk ka fituar as Kosova e as Serbia por mund të them se i vetmi fitues është e keqja, me vjen keq qe 1 vit jemi të angazhuar është bërë një punë e madhe dhe kjo sot nuk u shpërblye edhe pse Kosova morri më së shumti vota. Por është e vështirë të sigurohen 2/3 e bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai në një konferencë të Dubai.

Tutje Pacolli kërkoi unifikim të spektrit politik për çështjen e anëtarësimit.

“Kjo nuk duhet të dekurajohemi, Kosova si shtet duhet të ecë përpara, institucionet duhet të forcohen, kërkoj nga spektri politik i Kosovës unitet në këtë drejtim. Një është e sigurtë, kësaj iniciative nuk i ka munguar përkushtimi dhe puna, kemi punuar por në fund e patë që nuk arritëm të sigurojmë ato 12 vota për anëtarësim” tha Pacolli.

Sipas tij tani duhet t`i jepet rëndësi të madhe dialogut me Serbinë në mënyrë që të mos pengohet rruga e Kosovës.

“Ne e pamë se dy shtete nga oqeani dy shtete të vogla u anëtarësuar pa asnjë problem kurse Kosova jo, Serbia bëri një luftë të pamëshirshme kundër Kosovës, duhet të i japim rëndësi të madhe dialogut duke krijuar lehtësi për qytetarët tanë në mënyrë që të ecet përpara. Nuk duhet ta ndalemi duhet të angazhohemi për të arritur te paqja”, theksoi ai.