Kompleksi Memorial në Reçak - Foto: Atdhe Mulla

Pacolli: I pështirë mohimi i masakrës së Reçakut nga Ivica Daçiq

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj mohimit të masakrës së Reçakut të bërë sipas tij nga homologu i tij serb, Ivica Daçiq.

Mohimin e kësaj masakre të kryer nga forcat serbe më 1999, ku u vranë 45 civilë shqiptarë, Pacolli e quajti të pështirë dhe absolutisht të papranueshëm.

Pacolli e quan madje fashist ministrin serb.

“Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar. Serbia kreu krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Evropë që nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve”, ka shkruar Behgjet Pacolli në profilin e tij në Facebook, duke aluduar në Ivica Daçiqin, i cili ka qenë zëdhënës i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, i cili ka vdekur në Hagë teksa po gjykohej për krime lufte e krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci.

Pacolli ka njoftuar se ka vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë dhe i ka bërë thirrje prokurorisë që të merren masa ligjore kundër tyre.

Ditëve të fundit, në Kosovë janë shtuar zërat kundër mosndëshkimit të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë një nismë për të kërkuar një tribunal që do të gjykonte kryerësit e krimeve në Kosovë.

https://kallxo.com/veseli-intensifikon-lobimin-per-krijimin-e-nje-tribunali-per-krimet-serbe/

Një kërkesë të ngjashme e ka bërë edhe ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në Kongresin amerikan.

https://kallxo.com/jahjaga-kerkon-ne-kongresin-amerikan-nje-gjykate-per-ata-qe-dhunuan-gjate-luftes-ne-kosove/

Këtë kërkesë ajo e bëri gjatë seancës së posaçme në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ku e dhunuara nga forcat serbe, Vasfije Krasniqi Goodman, rrëfeu në detaje ngjarjen që e përjetoi më 1999.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës me 15 prill të këtij viti ka miratuar formimin e Komisionit Parlamentar për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, iniciativë kjo që mori votat pro të 66 ligjvënësve.

Ky është postimi i plotë i ministrit Pacolli:

“I pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës së Recak nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së Millosheviçit në vitet ’90. Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar. Serbia kreu krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Evropë që nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve. Arsyeja pse Daçiq dhe fashistë të tjerë në Serbi mohojnë krimet e luftës është sepse drejtësia ndërkombëtare dështoi në sjelljen e atyre para drejtësisë që kryen krime kundër njerëzimit në Kosovë. Nuk kishte kurrë një de-nazifikim të Beogradit. Drejtësia për viktimat e luftës në Kosovë nuk do të arrihet kurrë nëse drejtësia vazhdon ta fsheh gjithë ato krime nën qilim. Nëse nuk ka dënim për krimet e Beogradit të kryera në Kosovë nuk do të ketë kurrë pajtim dhe këta fashistë në Beograd do të vazhdojnë të mohojnë krimet që kanë kryer.

Si Ministër i Punëve të Jashtme kam vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre”.