20 vjet pas luftës, Kuvendi krijon komision për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë

Kuvendi i Kosovës, 20 vjet pas luftës së fundit, ka miratuar formimin  e Komisionit Parlamentar për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.

Formimi i Komisionit u mbështet me 66 vota të deputetëve.

Shefi i grupit Parlamentar të NISMA-s, Bilall Sherifi, propozoi që të formohet një Komision ad-hoc për krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Lidhur me sanksionimin e gjenocidit në Kosovë nga Republika e Serbisë, nga shteti, policia ushtria dhe nga të gjitha segmentet e aparatit shtetëror represiv të Serbisë në Kosovë, tani është koha të krijojmë një Komision Ad-hoc nga Kuvendi dhe të gjitha deklarimet publike të partive politike në vend, t’i shkrijmë në një rezolutë të përbashkët”, tha Sherifi.

Ai shtoi se për këtë çështje ka marrë mbështetjen edhe të kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe nga përfaqësuesit e subjekteve politike vendore.

Ndërkaq, kryeparlamentari Kadri Veseli kërkoi që në kuadër të kësaj kërkese dhe komisionit përkatës, të krijohet një tribunal ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë.

“Është një propozim konkret i cili kështu-ashtu merr kohë. Mund ta bëjmë si mocion procedural, pasi këto ditë janë përvjetorët e masakrave dhe nuk është e ndershme që Kuvendit të mos e marrë asnjë hap në këtë drejtim.

Formimi i këtij komisoni dhe miratimi i një rezolutë për krimet e luftës në Kosovë, mori mbështetjen shumicës së grupeve parlamentare.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se e mbështesin këtë iniciativë.

“Sigurisht që e mbështesim këtë iniciativë. Ne do ta delegojmë deputetin Armend Zemaj për këtë komision dhe shpresoj që të nxirret një rezolutë në fryëmn e Parlamentit Europian që është e pranueshme për të gjithë”, tha ai.

Ndërkaq, Memli Krasniqi, tha se PDK-ja e mbështetë këtë iniciativë dhe e propozoi deputetin Mërgim Lushtaku si përfaqësues në komision.

“Padyshim që për shkak të sjelljeve të dënueshme nga disa prej zyrtarëve serb të Kosovës më vjen mirë që është ri-aktualizuar kjo temë dhe është e nevojshme që Kuvendi ta thotë fjalën e vet dhe jo vetëm deklarativisht por të nxis përmes një rezolute marrjen e veprimeve konterete por edhe dhënien e obligimeve ndaj qeverisë dhe institucioneve tjera në lidhje me këtë çështje”, tha Krasniqi.

Ndërsa, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se e propozojnë deputeten Saranda Bogujevci si përfaqësuese në këtë komision.

“Do t’i jap gjitha qëndrimet e LVV-së të shkruara. Ne është dashtë qysh moti ta kemi një gjykatë të veçantë që do t’i trajtonte të gjitha krimet që kanë ndodh në Kosovë. Ne jemi dëshmitar që as UNMIK-u as EULEX-i por as institucionet vendëse nuk e kanë pas as minimumin e vullnetit për ti adresuar krimet e kryera nga Serbia”, tha ajo.

Edhe Teuta Haxhiu nga AAK-ja tha se e mbështesin këtë iniciativë.

“Është shumë e rëndësishme që Kuvendi të flas me një zë përmes një rezolute. Neve do të na përfaqësoj Muharrem Nitaj”, tha Haxhiu.

Komisioni për dënimin e krimeve të luftës ndaj popullsisë së Kosovës, mori mbështetjen edhe të PSD-së.

Deputetja e kësaj partive, Shqipe Pantina shprehi përkrahjen në emër të PSD-së.

“Ne e përkrahim inicitivën dhe propozojmë nënkryetaren e Kuvendit Aida Dërgutin të jetë në këtë komision”, tha ajo.

Kurse, Nisma Socialdemokrate e propozoi Bilall Sherifin për anëtar.

Në anën tjetër, deputeti Albert Kinolli nga 6+ tha se iniciativa është e qëlluar edhe pse pak e vonuar.

“Kjo iniciativë 20 vite pas luftës, është e qëlluar edhe pse pak e vonuar. Ne e përkrahim këtë dhe kontributin do ta japim përmes deputetit Danush Ademi”, tha ai.

15 Prill 2019 - 12:15

Emirjeta Vllahiu, Amire Qamili  15/04/2019 - 12:15
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend