Kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli: AKR Nuk Bashkëpunon me ‘PDK-në e Sotme’

Ish-presidenti i Kosovës dhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me koalicionin AAK-Nisma.

Gjatë një konferencë për media, Pacolli deklaroi se është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë ata njerëz që janë të pastër si loti, mirëpo kur u pyet nëse Jakup Krasniqi është i pastër si loti, ai ironizoi duke thënë se ende nuk e ka parë CV-në e tij.

Kreu i Aleancës Kosova e Re i ka vënë vija të kuqe “PDK-së së sotme” si dhe Isa Mustafës, që sipas tij e kanë ngulfatur vendin.

Mirëpo ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me AAK-në dhe Nismën.

“AKR-ja është e konsoliduar. Në fillim të dhjetorit do të mbajmë kuvendin zgjedhor dhe pastaj do të shohim”, u përgjigj Pacolli kur u pyet nëse do t’i bashkohet 2 partive opozitare.

Mirëpo i pyetur nga KALLXO.com nëse ai e sheh vetën në një listë të njëjtë zgjedhore me Jakup Krasniqin e Nismës, me të cilin patën zhvilluar polemika të ashpra në rrjetin social “Facebook”, Pacolli tha që problemet personale të tij nuk reflektojnë edhe në politikë.

“Problemet e mia personale s’kanë të bëjnë me politikë. Ne do të punojmë me njerëzit e pastër si loti”, tha ai.

I pyetur nëse Krasniqi është i pastër si loti, themeluesi i AKR-së tha që ende s’e ka parë CV e Jakup Krasniqit.

“Nuk e kam parë CV e Jakup Krasniqit. Kur të vjen koha do ta shikojmë dhe do të vendosim”, tha Pacolli.

Ai tha së është i hidhëruar me kryeministrin Mustafa që nuk i është përgjigjur në asnjë letër që i ka dërguar.

“Qeveritë deri tani nuk kanë dhënë asnjë shenjë sa i përket zhvillimit ekonomik. AKR me timonin e Qeverisë do të rriste zhvillim ekonomik jo më poshtë se 10 %. Ne kemi planifikuar ta rrisim numrin e punëtorëve në 60-70 mijë çdo vit. Ne s’kemi nejtë duarkryq, kemi bërë disa tentativa. Pyetne Kryeministrin. Unë jam shumë i hidhëruar sepse ai nuk na ka kthy përgjigje. I kemi thënë të na lëshojë disa fabrika që janë bosh, e që mbahen peng që të investojmë me disa investitorë të huaj. Njerëzit në pushtet s’kanë as kreativitet as ide për qytetarët”, është shprehur Pacolli.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të Aleancës Liberale Demokratike të Evropës, ku bënë pjesë edhe AKR-ja.

Ata gjatë konferencës i dhanë mbështetje Pacollit si dhe avancimit të Kosovës në rrugën euroatlantike.