OSHP

OSHP e përkrahur nga USAID-i tani e tutje do t`i transmetojë direkt seancat

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka lansuar projektin për transmetimin direkt të seancave dëgjimore, projekt ky i përkrahur nga USAID-i në Kosovë.

Blerim Dina kryetar i OSHP-së, tha se ky projekt synon ngritjen e vetëdijes së publikut dhe qytetarëve në lidhje me çështjet e prokurimit dhe se si funksionon OSHP-ja. Dina tha se shpreson se me anë të këtij sistemi do të vlerësohet më shumë puna e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

“Transparenca sigurisht se ndikon edhe në rritjen e llogaridhënies, si mekanizëm që siguron shërbime më kualitative dhe të besueshme si për operatorët ekonomik dhe për publikun e gjerë”, tha Dina.

Ai tha se OSHP përmes këtij projekti shpreson se puna e tyre do të vlerësohet edhe më shumë dhe se me këtë krijohet edhe një siguri juridike më e madhe për anëtarët e OSHP-së me rastin e trajtimit të ankesave dhe vendimmarrjes.

“Jemi dëshmitarë se për pothuajse shumicën e lëndëve që trajtojmë ne ftohemi qoftë nga ana e Policisë apo Prokurorisë, lidhur me mënyrën se si vendosim në këto lëndë edhe përkundër faktit se ne jemi të mbrojtur nga imuniteti funksional”, ka deklaruar Dina.

Ai shtoi se ky sistem dhe reforma të tjera në OSHP, po përkrahen vazhdimisht nga USAID-i dhe ndërkombëtarët.

E pranishme në ceremoninë e lansim të këtij ishte edhe drejtoresha e USAID-it për Kosovë, Lisa Magno.

Ajo tha se është në interes të qytetarëve që të publikohen kontratat dhe se si shfrytëzohen fondet publike.

“Ne e dimë edhe për transparencën e prokurimit, ju dini për platformën elektronike të prokurimit, ku janë rreth pesë mijë vendime në lidhje me prokurim, në mënyrë që qytetarët të kenë informata të qasshme në mënyrë të lehtë. Jemi duke punuar edhe me komunat, së paku pesë komuna publikojnë kontratat në ueb-sajtet e tyre, ku qytetarët mund të shohin se si po shfrytëzohet paraja publike. Ne shpresojmë që ky projekt do të jetë në të  gjitha komunat e Kosovës’’, ka thënë ndër të tjera Magno.