Organi i OKB-së kritikon shtetet e Ballkanit për zhdukjet gjatë luftës

Një grup pune i Këshillit të të Drejtave të Njeriut i OKB-së tha se katër vende të Ballkanit kanë bërë shumë pak progres në depolitizimin e çështjes së zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur nga luftërat e viteve 1990.

Grupi i Punës i Këshillit të të Drejtave të Njeriut i OKB-së për Zhdukjet e Detyruara ose të Pavullnetshme kritikoi të mërkurën Kroacinë, Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën për trajtimin e problemit të personave të zhdukur si një çështje politike.

Ai tha se qeveritë shpesh bëjnë një zgjedhje të qëllimshme që të mos ndajnë informacione përkatës, ose t’i ndajnë ato vetëm kur merren informacione të tjera në këmbim.

“Kjo jo vetëm që ndikon në të drejtën e viktimave dhe të afërmve të tyre për të ditur të vërtetën, por gjithashtu edhe në të drejtën për drejtësi,” tha grupi i punës në një shtojcë të raportit të tij të fundit.

Ai shprehu shqetësim se bashkëpunimi dypalësh midis Kroacisë dhe Serbisë është bllokuar dhe kërkoi që ai të rifillojë sa më shpejt që është e mundur.

Ai gjithashtu shprehu keqardhje për mungesën e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se “procesi i shkëmbimit të informacionit me qëllim sqarimin e fatit të personave të zhdukur është ndalur praktikisht”.

Ai i bëri thirrje Malit të Zi që të vendosë zhdukjen e detyruar si një vepër të veçantë penale në legjislacionin penal të vendit dhe kritikoi “përparimin e vogël” që vendi ka bërë në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Në rekomandimet e tij për të gjithë rajonin, grupi punës i OKB-së bëri thirrje për më shumë përpjekje për të zbatuar plotësisht Deklaratën mbi Rolin e Shtetit në Trajtimin e Çështjes së Personave të Zhdukur si Pasojë e Konflikteve të Armatosura dhe Abuzimeve me të Drejtat e Njeriut, sidomos pjesën mbi gjykimin e krimeve të luftës.

Ai vuri në dukje se janë bërë përpjekje për të trajtuar keqidentifikimet e shkuara të personave të zhdukur, por shprehën shqetësimin se “qasja në arkiva dhe zbulimi i informacioneve relevante për rastet e zhdukjeve me detyrim mbeten problematike”.

Megjithatë, ai mirëpriti krijimin e një baze të dhënash për rastet aktive të personave të zhdukur me mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur dhe pjesëmarrjen e Kroacisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës, duke e quajtur atë një “hap pozitiv”.