Memoriali për të pagjeturit në Prishtinë

Kurti e Konjufca homazhe te Memoriali për të Pagjeturit, bëhet thirrje për drejtësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeparlamentari, Glauk Konjufca sot kanë bërë homazhe te Memoriali për të Pagjeturit para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, me rastin e Ditës së të Pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.

Kurti ka thënë se në këtë datë përkujtohet Dita e të Pagjeturve, por edhe masakra e Mejës.

“27 prilli është dita kur ne përkujtojmë masakrën e Mejës, por gjithashtu është edhe Dita e të Zhdukurve me Dhunë në Kosovë, të atyre që u rrëmbyen me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit i cili përvec se i rrëmbeu me të dashurit e familjeve të shumta gjithashtu edhe shumë prej tyre ua rrëmbeu edhe kufomat nëpërpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera”- tha Kurti.

Kryeministri u shpreh se vendi ka nevojë për drejtësi dhe që fajtorët të përfundojnë prapa grilave.

“Kemi nevojë për drejtësi, kemi nevojë për përgjegjësi, kemi nevojë që kriminelët, fajtorët, ekzekutuesit dhe urdhërdhënësit të ndodhen prapa grilave dhe për këtë na duhet edhe mbështetja ndërkombëtare por edhe mobilizimi kombëtar”- tha ai.

Kreu i ekzekutivit theksoi se në maj bëhen katër vite prej kur Kuvendi ka mundësuar përndjekjen, akuzën, gjykimin dhe dënimin në mungesë.

“Muajin e ardhshëm bëhen katër vite prej kur Kuvendi ka mundësuar përndjekjen, akuzën, gjykimin dhe dënimin në mungesë dhe nuk ka ditë më të duhur se 27 prilli për t’i bërë thirrje edhe një herë, prokurorisë së shtetit, speciales që ato mijëra dëshmi që i kemi për kimet e kryera të shndërrohen në aktakuza për përgjegjësit”- theksoi Kurti.

“Është e paarsyeshme çdo vonesë në kohën kur koha nuk punon për neve sa i përket dëshmitareve që po plaken dhe vdesin. Sa i përket dëshmive materiale që me shumë mund familjet por edhe institucionet, vazhdojnë ti ruajnë 24 vite pas krimeve makabër”- shtoi ai.

Ndërsa, kryeparlamentari Konjufca tha se njëri prej krimeve të gjenocidit të Serbisë ishte rrëmbimi dhe zhdukja me dhunë e mijëra shqiptarëve.

“Sot po i përkujtojmë të gjithë të zhdukurit me dhunë nga Serbia, padyshim që njëri prej krimeve të gjenocidit të Serbisë ishte rrëmbimi dhe zhdukja me dhunë e mijëra shqiptarë nga ana e aparatit shtetëror ushtarak dhe policor të Serbisë. Edhe sot e kësaj dite, mbi 1600 mbeten ende të pa gjetur, jo pse nuk e dijmë ku janë, e dijmë saktë,e  dijmë edhe përgjegjësin, është shteti i Serbisë dhe me vetë faktin se shumë që u gjetën u gjetën në institucione që u ndërtuan nga vetë Serbia, e di saktë se ku ndodhen”- tha Konjufca.

Kryeparlamentari u shpreh se duhet bashkëpunuar me mekanizmat ndërkombëtarë që fati i të pagjeturve të zbardhet dhe Serbia të jap përgjegjësi.

“Ajo që na mbetet ne është jo vetëm t’i kujtojmë ata u rrëmbyen dhe zhdukën me dhunë, por po ashtu të ngrisim zërin vazhdimisht, të punojmë së bashku me mekanizmat ndërkombëtar që fati i tyre të zbardhet dhe Serbia të jepë përgjegjësi dhe llogari për të gjithë qytetarët që i rrëmbeu dhe zhduku. Lavdi martirëve e të zhdukurve me dhunë, lavdi edhe dëshmorëve që dhanë jetën për liri”- deklaroi Konjufca.

Më 27 prill në Kosovë shënohet është Dita e të Zhdukurve me Dhunë në luftën e fundit në Kosovë, ku ndër të tjera përkujtohet edhe masakra në Mejë të Gjakovës, në të cilën në vitin 1999 u vranë rreth 377 shqiptarë, përfshi pleq e fëmijë.

Kurti: Në takimin e 2 majit pres që çështja e të pagjeturve të trajtohet me urgjencë ashtu si jemi dakorduar në Ohër