Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, raporton në Komisionin për Integrim Evropian. FOTO: KALLXO.com

Deliu Kodra drejtuar Bislimit: Asnjëherë nuk ka pasur përmbysje më të madhe të institucioneve në vend

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka raportuar në Komisionin për Integrim Evropian.

Në komision, anëtarja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu i është drejtuar Bislimit duke i thënë se asnjëherë nuk ka pasur përmbysje më të madhe të institucioneve në vend.

Gjithashtu, Deliu Kodra përmendi arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe e akuzoi qeverinë për punësime të militantëve të partisë në pushtet.

“E dimë kush është sot drejtor në RTK, e dimë kush është në bord të ndërmarrjeve publike, domethënë nuk mund të marrim sot merita se këto institucione janë në pozitë të mirë. Kemi në radhë zgjedhjen e komisionit të KPM-së, edhe aty do të jenë militantët tuaj”- tha Deliu Kodra.

Ajo shprehu shqetësim edhe rreth ikjes së qytetarëve të Kosovës dhe deklaratës për personat e zhdukur, të dakorduar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në takimin e fundit në Bruksel.

“Ne sot kemi ikje drastike të qytetarëve, dhe shqetësimi im është edhe deklarata e dakorduar mes Vuçiq dhe Kurtit, sa i përket togfjalëshit të zhdukur me forcë në vend të “personave të zhdukur me dhunë”, natyrisht që njëson viktimën dhe xhelatin dhe për ne ka qenë shqetësim”- vijoi ajo.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Bislimi u përgjigj duke thënë se pajtohet që ende ka nevojë për shtim të përpjekjeve për luftim të korrupsionit.

“Kërkesa kryesore e partnerëve tanë ndërkombëtar është depolitizimi institucioneve” – tha Bislimi.

Ai tutje shtoi se nuk është problem nëse punësohen aktivistë që përmes konkurseve dëshmojnë se e meritojnë një vend të punës.

“Nuk mendoj nëse është gabim që Besnik Bislimi emërohet në një ndërmarrje publike sepse është makro-ekonomist. Nëse Bislimi emërohet vetëm se është militant politik e me shkollë të mesme, ky është problemi. Nëse kemi aktivist që përmes konkurseve dëshmojnë se e meritojnë një vend të punës, ne do të jemi të lumtur sepse në radhët tona kemi ekspert”- tha zëvendëskryeministri.

Në anën tjetër, ai iu përgjigj Deliu Kodrës për temën e personave të pagjetur duke thënë se opozita në Kosovë është e vetmja që thotë se po bëhet njësimi i xhelatit me viktimën.

“Mendoj që opozita në Kosovë është i vetmi grupacion që thotë se atje po bëhet njësimi i xhelatit me viktimën për përdorimin e termit persona të zhdukur me forcë. Është shumë e gabueshme dhe nuk i shërben interesit tonë publik dhe nuk i shërben gjetjes së personave të pa gjetur” – u shpreh Bislimi.