Baneri i vendosur nga ORCA në rrethojat e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Foto: KALLXO.com

ORCA: Çapkëni Naser Sahiti po bën shaka me shkencën

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka organizuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës një aksion dedikuar prorektorit për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Naser Sahiti lidhur me avancimet akademike në UP.

Drejtori i ORCA-s, Rron Gjinovci ka thënë se ata e kanë njoftuar Senatin në lidhje me këtë çështje, por menaxhmenti është tallur me këtë situatë.

“Ne e kemi informuar Senatin me kohë mirëpo Senati nuk ka ndërmarrë ndonjë verifikim shtesë rreth kësaj çështje. Për më tepër menaxhmenti po tallet me këtë situatë, e kam fjalën për prorektorin Naser Sahiti, i cili është treguar çapkën duke e revitalizuar çështjen e publikimeve të 18 dhe 19 punimeve brenda një viti e gjysmë”, tha Gjinovci.

ORCA po ashtu tha se punimet e publikuara nga prorektori Naser Sahiti janë të publikuara në revista me probleme të ndryshme.

“Tetë kandidatë janë avancuar në profesor të rregullt nga ky grup që domethënë ata marrin kontratë të përhershme për profesor të rregullt, të cilët më nuk i detyrohen Universitetit sa i përket avancimit akademik ose publikimit të këtyre punimeve shkencore. Këto punime janë publikuar në vetëm tri revista, të cilat kanë probleme të ndryshme”, shtoi Gjinovci.

ORCA mendon se ky lloj i qasjes së menaxhmentit ndaj rasteve të tilla e komprometon procesin e avancimeve akademike në vitin 2018.