Opozita-Thirrje për Protestën e së Shtunës

“Do të protestojmë e do të kërkojmë largimin e kësaj qeverie antikushtetuese. Njëzëri do të dalim për shtet dhe sovranitet. Së bashku do të kërkojmë demokraci. Masivisht do t’i themi jo marrëveshjes me Serbinë e cila u vërtetua se e shkel kushtetutën në 23 pika si dhe demarkacionit me Malin e Zi që Kosovës ia merr mbi 8 mijë hektarë tokë,” thuhet në thirrjen opozitare.

Pasi Presidentja Jahjaga e dërgoi Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe për vlerësim kushtetutshmërie, Gjykata Kushtetuese më 23 dhjetor vendosi që marrëveshja nuk është në tërësi në pajtim me frymën e kushtetutës, por nuk e anuloi atë.

http://kallxo.com/kushtetuesja-vendosi-per-asociacionin/

Qeveria pas daljes së vendimit të kushtetueses u zotua se do ta zbatojë atë.

http://kallxo.com/qeveria-zotohet-ta-zbatoje-vendimin-per-asociacionin-e-komunave-serbe/

Opozita kërkon që protestës së paralajmëruar për të shtunën në orën 14:00 para Bibliotekës Kombëtare t’i bashkohen njerëz nga të gjitha vendbanimet e Kosovës.

Që nga 28 nëntori i vitit të kaluar opozita ka organizuar një seri manifestimesh në Prishtinë e qytete tjera të Kosovës.

Policia dhe subjektet opozitare përveç për manifestimin në Suharekë, kanë dhënë shifra të ndryshme për numrin e të tubuarve.

http://kallxo.com/policia-dhe-opozita-me-shifra-te-peraferta-per-malisheven/

“Vetëvendosje”, AAK-ja e Nisma po kërkojnë tërheqjen e nënshkrimit të qeverisë nga marrëveshjet e 25 e 26 gushtit për asociacionin dhe demarkacionin të nënshkruara në Bruksel e Vjenë.

Për ta arritur këtë qëllim, këto tri subjekte politike gjatë vitit të kaluar u munduan ta pengojnë punën e sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës, duke aktivizuar gaz lotsjellës në këtë institucion.

Nën dyshimet për aktivizim të këtij gazi është ngritur aktakuzë ndaj Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit e Faton Topallit, ndërsa përveç tyre, edhe nëntë deputetë tjerë opozitarë kanë kaluar nëpër procedura policore e gjyqësore.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-kater-deputeteve-te-opozites/