Opozita: S’kemi Arsye për Festë më 17 shkurt

Përfaqësuesit e subjekteve opozitare të LVV-së dhe AAK-ë,ju bënë thirrje dukagjinasve që me 17 shkurt të nisen në mënyrë masive drejt protestës në Prishtinë.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se pikërisht dita e 17 shkurtit është e duhura për të protestuar.

“Nuk kemi çka me festua, po me vjen keq nuk është ditë feste. Është tamam ditë kur duheni me protestuar dhe të tregojmë që tetë vjet me herët nuk është  kryer puna,”  tha nënkryetarja e LVV-së.

Kurse, ish kreu i Komunës së Pejës dhe i degës së AAK-së, Ali Berisha, tha se ajo çfarë është nisur nga opozita e bashkuar dhe qytetarët duhet çuar deri në fund.

“Besojmë shumë që më 17 shkurt ka me qenë protesta me e madhe ndonjëherë që kanë organizuar shqiptarët e Kosovës,” tha Berisha.

Ndërkaq, Bojken Abazi anëtar i kryesisë së LVV-së tha se opozita nuk ka kurrfarë problemi me FSK-në që do të parakalojë më 17 shkurt në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë, kur edhe do të organizohet protesta opozitare.

“Ne me FSK-në dhe paradën nuk kemi asnjë problem atë ditë se ata e mbyllin rreth orës 11:30  dhe në 12:00 mbyllet ajo paradë. Ne protestën tonë e kemi në ora 14:00,” tha Abazi.

Ardian Gjini nënkryetar i AAK-së tha së me protestën e 17 shkurtit do kërkohet shkarkimi i qeverisë dhe zbardhja e imazhit të vendit.

Të pranishmit u njoftuan  edhe me  mënyrën e organizimit dhe nisjes nga lokacionet e ndryshme të rajonit të Pejës më 17 shkurt, ditën kur do protestohet.

Opozita protestoi në Prishtinë edhe më 28 nëntor të vitit të kaluar dhe më 9 janar të këtij viti.

http://kallxo.com/live-manifestimi-opozitar-i-28-nentorit/

http://kallxo.com/opozita-ne-proteste-kunder-qeverise/

[interaction id=”56bf41933c42ab681c8615ae”]