Ofrohet Qasje më e Lehtë në Punësim për Romët, Ashkalitë dhe Egjiptasit

Zëvendës Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Qazim Rrahmani, nënshkroi të premten Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Organizatën Joqeveritare “VO RAE” të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Kjo marrëveshje në fokus ka mbështetjen e duhur që duhet dhënë këtyre komuniteteve në punësimin e tyre përmes shërbimeve dhe masave aktive të tregut të punës të cilat i ofron Zyra e Punësimit në pajtueshmëri me legjislacion në fuqi.

Me këtë marrëveshje, MPMS përmes zyrave të punësimit do të promovojë dhe avokojë në gjetjen e punës të ofruar nga punëdhënësi potencial për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas dhe apriori do të përmbush kriterin e ofrimit të mundësisë së barabartë në punësim dhe krijimin e një integrimi më cilësor të këtyre komuniteteve.

Zëvendës Ministri Rrahmani gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje bëri të ditur se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian do ta ketë qasjen më të lehtë në të gjitha Zyrat Komunale të Punësimit për çdo bashkëpunim në nivel komunal me përfaqësuesit e OJQ-së VoRAE-ja, për takime, organizime në lidhje me punësimin e sidomos në shfrytëzimin e mundësive lidhur me ndërmjetësimet në punësim.

“Me këtë marrëveshje do të ju mundësohet qasje e lehtë në shërbimet e Qendrave të Punësimit sa i përket informimit, aplikimit si dhe mundësisë së barabartë në punësim” tha Rrahmani.

Ndërkaq drejtori i OJQ “VO RAE” Isak Skenderi falënderoi ministrinë për këtë mbështetje që po i jepet këtyre komuniteteve të margjinalizuara deri më sot, siç tha ai, drejt krijimit të një integrimi më të suksesshëm për të rinjtë e këtyre komuniteteve.