Foto: CNN

Ngjarja e 'Spidermanit' në Paris që ngriti shumë pikëpyetje

Është një imazh që ka shtangur Parisin dhe botën, një fëmijë që varet në ballkonin e një apartamenti në katin e pestë, ndërsa të tjerët nxitojnë për ta shpëtuar atë, raporton CNN.

Ka shumë gjëra që tregohen në foton më lart, një pamje e shkëputur nga një video e telefonit e realizuar të shtunën në rrugën e Parisit.

1.Pse djali është i varur në ballkon?

4-vjeçari ishte nën kujdesin e babait të tij në Paris, ndërsa nëna e tij ishte e pranishme. Babai e kishte lënë djalin vetëm dhe ai kishte dalë në ballkon.

Fqinjët thanë për CNN se djaloshi kishte rënë nga ballkoni lart, në katin e gjashtë, por kishte arritur të kapej në hekurat e ballkonit më poshtë.

2.Pse fqinji në ballkonin tjetër nuk e shpëtoi djalin?

Burri në apartamentin fqinj, me emrin Florian, arriti afër murit ndarës dhe e kapi djalin. Por ai tha për CNN se kishte frikë se fëmija mund të binte nëse ai përpiqej ta tërhiqte atë në ballkonin e tij.

“Doja të veproja me kujdes mbi të gjitha dhe sigurisht nuk doja të rrezikoja jetën e fëmijës”, tha ai. Floriani tha se po e inkurajonte fëmijën të afrohej më pranë tij. “Ai kishte guximin e jashtëzakonshëm”.

3.Kush është heroi që u ngjit në ndërtesë?

Mamoudou Gassama, një emigrant 22-vjeçar nga Mali, ishte në lagje për të parë një ndeshje futbolli kur pa një turmë të mbledhur rreth ndërtesës.

Ndërkohë që të tjerët e shikuan, ai filloi të veprojë, duke u ngjitur në pjesën e jashtme të ndërtesës, përpara se të kapë krahun e fëmijës dhe ta tërheqë atë për ta shpëtuar. U deshën më pak se 30 sekonda që Gassama të ngjisë ndërtesën, duke fituar pseudonimin “Spider-Man” nëpër disa tituj.

“Unë nuk u mendova, u ngjita dhe Perëndia më ndihmoi”, i tha kryetarit francez, Emmanuel Macron, i cili ftoi Gassamën në Pallatin Elysee dhe i ofroi atij nënshtetësi franceze. Gassamas gjithashtu i është ofruar një punë me brigadën e zjarrfikësve në Paris.

4.Ku ishte babai i djalit?

Ai kishte shkuar jashtë për pazar, tha prokurori francez Francois Molins në një intervistë të hënën për BFM TV. Kthimi i tij në shtëpi u vonua për shkak se po luante lojën “Pokemon Go”.

Babai është shkatërruar nga pasojat e veprimeve të tij dhe përballet me deri në dy vjet burg për braktisjen e përgjegjësisë së tij prindërore, tha Molins. Ai do të dënohet në shtator.

Djali u vu në kujdes të përkohshëm ndërsa babai ishte në paraburgim, por tashmë ata janë bashkuar.