Foto-ilustrim

Nga sot, borxhet ndaj Ujësjellësit 'Prishtina' do të merren me përmbarues privat

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë se nga sot të gjithë borxhlinjtë do të dërgohen te përmbaruesi privat.

Siç njofton Ujësjellësi, nga sot janë formuar komisione të veçanta për verifikimin dhe dërgimin/procesimin e lëndëve te Përmbaruesit Privat, të konsumatorëve që kanë borxhe ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe të atyre konsumatorëve të cilët kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe të cilët nuk iu janë përmbajtur kontratës së nënshkruar nga të dyja palët.

“Borxhi total ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit është mbi 40 milion euro derisa, nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike kanë përfituar mbi 52 mijë konsumatorë, ku një pjesë e konsiderushme e tyre nuk iu janë përmbajtur marrëveshjes kontraktuale”, thuhet në komunikatën e Ujësjellësit.

Tutje, KRU ‘Prishtina’ njofton se nga sot të gjitha rastet do të dërgohen te Përmbaruesi Privat.

“Përveç aplikimit masiv të shkyçjeve individuale, nga sot lëndë të shumta të konsumatorëve borxhlinj do të procesohen te Përmbaruesit” thuhet tutje në njoftim.

“KRU “Prishtina” sh.a. i’u ka ofruar bashkëpumin dhe mundësi të lehta të ndryshme ( riprogramim për borxhe të akumuluara, andaj shfrytëzojeni këtë mundësi, sepse lëndët e dërguara te Përmbaruesit janë shpenzime shtesë për ju, derisa KRU,,Prishtina,, nuk aplikon kamata për asnjë konsumatorë të saj)”, thuhet më tej në njoftimin e Ujësjellësit.