Ujësjellësi i Prishtinës pagoi mbi 200 mijë euro ndëshkim për shkak të vonesave në realizimin e një projekti
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” në vitin 2019 ka paguar ndëshkim në vlerë 207, 466 euro ndaj një operatori ekonomik si shkak i vonesave në realizim të projektit.
Në gjetjet e Zyrës Kombetare të Auditimit (ZKA) thuhet se ndëshkimi erdhi si shkak i pengesave që kanë ndodhur gjatë zbatimit të projektit që kanë ndikuar në mosrealizm të projektit në kohën e paraparë.
Me qëllim të shlyerjes së këtij obligimi, kompania kishte shfrytëzuar mjetet e mbetura të Komunës së Prishtinës pa ndonjë aprovim paraprak prej saj.
Në raportin e auditimit potencohet se sipas konfirmimeve zyrtare, pagesën e ndëshkimeve kompania e kishte vlerësuar si pjesë përbërëse të projektit dhe nuk e kishte konsideruar si të nevojshme aprovimin nga komuna për shfrytëzimin e mjeteve të mbetura.
ZKA thekson se shfrytëzimi i mjeteve pa aprovim të Komunës së Prishtinës, si dhe në kundërshtim me qëllimin e destinimit të tyre, krijon pa-pajtueshmëri ligjore dhe rrezikon qëllimin e memorandumit dhe objektivave të Kompanisë.
Në memorandumin e bashkëpunimit në mes Bankës KFW dhe Komunës së Prishtinës, për financimin dhe administrimin e projektit “Ujësjellësi Komunal dhe Largimi i Kanalizimit në Prishtinë Faza III” komponenta I, është rënë dakord që fondet prej 5 milionë euro nga Komuna Prishtinës të transferohen në një llogari të veçantë të KRU Prishtina dhe të përdoren ekskluzivisht për projektin e lartpërmendur.
Sipas ZKA-së, Pasqyrat Financiare të bashkangjitura nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, të performancës së saj financiare, si dhe rrjedhës së parasë së gatshme për vitin 2020, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.