Nesër protestë në Fushë Kosovë lidhur me vrasjen e 11 vjeçarit

Një grup i aktivistëve kanë organizuar një aksion simbolik para stacionit policor në Fushë Kosovë lidhur më rastin e vrasjes së 11 vjeçarit nga Fushë Kosova.

Përfaqësuesi i këtij aksioni, Gazmend Qyqalla tha se ky rast shfaq racizmin e rrënjosur të institucionet duke i bërë ato “bashkëfajtore në këto krime”.

“Ne aktivistë kundër racizmit përmes këtij aksioni simbolik duam të shpërfaqim neglizhimin institucional të Policisë dhe Gjyqësisë që la të vrarë 11 vjeçarin nga Fushë Kosova. Për gjashtë muaj kjo polici nuk ndërmori asgjë për ta mbrojtur atë nga përdhunimet e as nga vrasja”, tha ai.

Qyqalla paralajmëroi protestë për nesër (të premten) më fillim nga ora 14 më nisje nga lagja Meshari (të pazari) për të vazhduar drejt stacionit policor në Fushë Kosovë.

“Andaj ju ftojmë të ngrihemi të gjithë në protestë para policisë dhe të mos lejojmë që të fshihen brenda mureve të këtyre institucioneve që më së paku po na mbrojnë”, tha më tutje ai.

KALLXO.com ka raportuar të mërkurën së është arrestuar një i dyshuar për vrasjen e 11 vjeçarit.

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit S.O. për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale të vrasjes së rëndë dhe dhunimit.

Nëse vendimi bëhet i plotfuqishëm, i pandehuri do të qëndrojë në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj.

Fitim Malokaj, avokat i të dyshuarit për vrasjen në Fushë Kosovë ka thënë për KALLXO.com se i dyshuari nuk di as shkrim e as lexim dhe se mediat duhet të kenë shumë kujdes në artikuj.

“Klienti im e ka pranuar rastin në polici se e ka goditur viktimën me mjete të fortë dhe guri, ndërsa sot është caktuar vetëm masa e paraburgimit. Faza e hetimeve është duke vazhduar dhe do të vazhdojnë deri në ngritje të aktakuzës. Është rast i ndjeshëm dhe meqenëse kemi të bëjmë më viktimën 11 vjeçar dhe jo 9 vjeçar aq sa po thonë mediat ndërsa kryerësi në nëntor i bën 20 vjet”, ka thënë avokati.

Me 11 korrik 2019 një fëmijë i moshës 11 vjeçare ishte gjetur pa shenja jete në afërsi të një ndërtese, në rr. “Xhemajl Mustafa”, në Fushë-Kosovë.

11 vjeçari dyshohet se paraprakisht është dhunuar dhe më pas është vrarë.

Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës kishte mbajtur edhe një konferencë për media.