Nesër promovohen tri botimet e fundit të projektit ‘Kosova’ të Jusuf Buxhovit

Shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, do të promovojë nesër, e premte, 5 tetor 2018, tri botimet e fundit të projektit “Kosova”, VI, VII, VIII.

Promovimi do të bëhet në ora 12:00 në Kolegjin AAB në kuadër të Panairi Vjetor të Librit që po mbahet në këtë kolegj.

Tri botimet e fundit të projektit “Kosova”, paraqesin certifikatën historike të shtetit të Kosovës, por edhe të rolit të Dardanisë në kompleksitetin e antikitetit.

Në botimin e VI, të projektit “Kosova” autori ka trajtuar zhvillimet e vitit 1999- 2001 në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, në vëllimin e 7-të zënë vend, ngjarjet historike që kanë karakterizuar Kosovën nga 2002 deri në shpalljen e pavarësisë më 2008.

Kurse në pjesën e fundit të projektit, në vëllimit e VIII, janë përmbledhur dokumente me rëndësi për Kongresin e Berlinit të viti 1878 dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga 1878 e deri më 1881.