Në Prizren hapet sot ekspozita që prezanton modernitetin e këtij qyteti mes viteve 1945- 1989

Ekspozita “Përnjëherë e Mjegullt dhe e Pashmangshme: Modernitetet 1945—1989”, për mes së cilës prezantohet zhvillimi shumë disiplinare i qytetit të Prizrenit mes viteve 1945—1989, do të hapet sot, duke filluar nga ora 16:00 në Kino Lumbardhi.

Kjo ekspozitë është rezultat i një punë tetë mujor e realizuar në kuadër të projekti “Prizren Urban Memoryscapes”, si platformë edukative që pajisi dhjetë pjesëmarrës me metoda të hulumtimit të trashëgimisë kulturore dhe ekonomike.

Ekspozita “Përnjëherë e Mjegullt dhe e Pashmangshme: Modernitetet 1945—1989”, ka një qasje ndërdisiplinare: duke realizuar intervista të historisë gojore; mbledhur dhe arkivuar burime vizuele dhe eksploruar strategji të ekspozimit të historisë shoqërore, kulturore dhe ekonomike të Prizrenit.

Duke lokalizuar proceset e modernizimit dhe hapur trashëgiminë socialiste për lexime nga perspektiva të shumta, ekspozita eksploron kulturën dhe punën nga këndvështrimi i punëtorëve, duke i ruajtur kompleksitetet historike dhe shamngur reprezentime të thjeshtësuara të së kaluarës socialiste.

Pjesëmarrësit punuan me burimet e mbledhura në mënyre interaktive, për të krijuar një arkiv digjital, një ekspozitë, një publikim, dhe mbi të gjitha, për të krijuar dije rreth komuniteteve të tyre.
Projekti është ideuar përmes partneritetit mes Fondacionit “Lumbardhi” dhe Iniciativës për Histori Gojore, në bashkëpunim me Ambasadat Franceze dhe Gjermane.

I nisur me një thirrje të hapur për pjesëmarrës në mars 2018, “Prizren Urban Memoryscapes” është përbërë nga punëtori mbi metodologjinë e historisë gojore, arkivim digjital dhe kurim të historisë bashkëkohore.

“Prizren Urban Memoryscapes” mbështetet nga Fondi Kulturor Franko-Gjerman, Ambasada Franceze, Ambasada Gjermane dhe Komuna e Prizrenit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga sot deri me 25 nëntor në Kino Limbardhi në Prizren.