Në mungesë kuorumi në Kuvend nuk votohet asnjë projektligj

Asnjë projektligj nuk është hedhur në votim në seancën e Kuvendit të Kosovës  në mungesë të kuorumit.

Në këtë  seancën të Kuvendit u diskutua për Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Gjatë debatit, deputetët kryesisht opozitarë, paraqitën vërejtje të shumta për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019. Ata vunë në pah mangësitë, të cilat sipas tyre, bëjnë që buxheti i planifikuar të mos jetë buxhet zhvillimor, por, vetëm shpenzim i pa menduar mirë i parasë publike.

Deputetët, po ashtu kritikuan edhe mungesën e shumë ministrave të kabinetit qeveritar në seancë, që sipas tyre, tregon qartazi papërgjegjshmërinë e qeverisë.

Në këtë seancë, pas diskutimit të deputetëve, ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, u është përgjigjur interesimit të deputetëve, lidhur me çështjet që kishin të bënin me buxhetin.

Hamza hodhi poshtë  pohimet e disa deputetëve se rritja e buxhetit për vitin 2019 nuk do të ndikojë në rritjen ekonomike.

Pas një debati për dy ditë radhazi lidhur me këtë projektligj, i cili në mungesë kuorumi nuk u hodh në votim, seanca vijoi punimet me shqyrtimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social, Projektligjin për produktet biocide dhe Projektligjin për Odën e Arkitekteve dhe Odën e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit.

Në lexim të dytë ndërkaq, është shqyrtuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Familjen i Kosovës.

Në mungesë kuorumi, asnjëra nga këto projektligje nuk i është nënshtruar procesit të votimit.

Në vijim, deputetët shqyrtuan edhe Raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017, si dhe Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017.

Po ashtu, në mungesë kuorumi, as këto raporte nuk janë hedhur në votim.

Pas kësaj, kryesuesi i Kuvendit  e shpalli të mbyllur seancën, për vazhdimin e së cilës, ai tha se deputetët do të njoftohen me kohë.