Gjykimi i zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin e zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dëshmoi roja i depos

Në gjykimin e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajt dhe pesë zyrtarëve të kësaj Ministrie, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, vazhdoi dëshminë Atdhedon Podvorica, i cili kishte qenë roje në depon në Mazgit.

Dëshmitari tha se në pozitën e rojës së depos ishte emëruar nga kompania “SFK”, më saktësisht nga Bajram Elshani.

Podvorica deklaroi se detyrat e tij kishin qenë që ta mbikëqyrte objektin dhe të evidentonte në një fletore automjetet që hynin dhe dilnin nga kjo depo.

“Ai më ka dhënë udhëzim ta mbikëqyri 24 orë, kush hyn e kush del në depo. Unë e kam pasur çelësin e rrethojës së oborrit dhe nuk ka mundur askush të hyjë brenda në oborr pa ia hapur unë derën. As Ministria e Shëndetësisë nuk ka pasur çelës të rrethojës, ndërsa të depos e kanë pasur punëtoret që kanë ardhur”, deklaroi dëshmitari.

Për këto evidenca ai tha se i kishte raportuar Bajram Elshanit përmes telefonit.

“Fletoren nuk ia kam treguar asnjëherë Bajramit se nuk ka ardhur kurrë por i kam treguar përmes telefonit”, tha ai.

Ai deklaroi se personave nga Ministria të cilët kishin ardhur në depo ua kishte hapur vetëm derën e oborrit, dhe se nganjëherë kishte qëndruar me ta e nganjëherë vetëm ua ka hapur derën e pastaj kishte shkuar.

Sipas dëshmisë së tij të dhënë në Prokurori, dëshmitari në pyetje të prokurorit në lidhje me disa data të shënuara në fletore ishte përgjigjur se në ato data të caktuara askush nuk kishte hyrë as dalë nga depoja e Mazgitit.

Në lidhje me këto data avokati Skender Musa e pyeti dëshmitarin nëse ai i kishte mbajtur në mend ato apo ato ia kishte lexuar prokurori.

“Në prokurori keni deklaruar me data të sakta se më 12/10/11 dhe me datën 14/10/11, nuk kanë ardhur. A mund të na thuash se si të janë kujtuar të gjitha këto data? Në qoftë se nuk e ke pasur fletoren para vetes, a t’i ka lexuar prokurori apo i ke ditur?”, e pyeti dëshmitarin avokati Musa.

“Prokurori m’i ka lexuar dhe më ka pyetur që të deklarohem a janë të sakta apo jo dhe unë kam deklaruar atë që kam shënuar në fletore”, u përgjigj dëshmitari.

Tutje avokati Musa i kërkoi dëshmitarit të deklarohej edhe në lidhje me një deklaratë tjetër të tij të dhënë në Prokurori ku ai kishte thënë se kamionët të cilët kishin ardhur ishin ngarkuar me infuzione, sirupa, barëra pluhur dhe barëra të ndryshme.

“Te prokurori po ashtu ke deklaru se kamionët janë ngarkuar me infuzione, sirupa pluhur, e barëra të ndryshme. A mund të na tregosh ne se si e ke kuptuar ti se në kamion ka barëra pluhur?”, e pyeti avokati dëshmitarin.

Në lidhje me këtë dëshmitari u përgjigj se ai kishte deklaruar kështu pasi që kamioni kishte qëndruar jashtë depos dhe nga aty ai kishte arritur që t’i vërente pasi që disa pako kishin qenë të grisura dhe nga aty i kishte parë barërat në formë të pluhurit.

Për këto evidenca të shënuara në fletore tha se i ka mbajtur për një vit radhazi prej momentin që e kishte marrë detyrën e deri kur kishte ardhur një polic hetues, i cili ia kishte kërkuar fletoren.

“Shënime në këtë fletore i kam mbajtur deri sa ka ardhur polici dhe ma ka marrë. Ai më tha se këtë fletore duhet me ma dhënë mua apo duhet me urdhër të prokurorit me ta marrë. Pastaj unë e dorëzova vetë, por ka mbetë me ma sjellë edhe urdhrin e prokurorit. S’e kam pranuar asnjëherë atë urdhër”, shtoi dëshmitari.

Më tej mbrojtësi i Remzije Thaçit, avokati Kujtim Kërveshi dëshmitarin e pyeti se a kishin qenë me afat apo pa afat barërat të cilat ishin sjellë në depo.

“Keni thënë në Prokurori se kanë marrë dhe kanë sjellë barëra. A kanë qenë me afat a pa afat ato barëra?”, e pyeti avokati Kërveshi.

“Sipas Labit ata kanë pru barëra edhe pa afat dhe i kanë shkarkuar në depon në fund dhe Labi i ka marrë në depon tjetër barëra me afat dhe i ka dërguar në Prishtinë. Ato i ka marrë nga ato barërat që kanë ardhur nga Shqipëria. Barërat me afat kanë qenë të vendosura në depo të veçantë. Labi ka qenë punëtor i depos të Rilindja dhe nuk e di se kush e ka bërë pranim-dorëzimin, unë vetëm i kam mbajtur shënimet se kush ka ardhur”, u përgjigj dëshmitari.

Ai deklaroi se nuk kishte pasur autorizim që të hynte brenda në depo dhe se puna e tij kishte qenë vetëm të mbante evidenca se kush po hynte e kush po dilte nga depoja.

Por edhe përkundër faktit se nuk kishte pasur autorizim që të hynte brenda në depo ai tha se nga dera e depos kishte mundur të vërente se çka kishte brenda në depo.

Dëshmitari u pyet edhe nëse kishte qenë edhe dikush tjetër aty që kishte mbajtur evidenca për çka ai tha se i kishte parë “ato çikat” (duke iu referuar të akuzuarave), me disa letra në dorë por nuk e di se çka kanë shënuar.

Ndërsa kur u pyet se nëse kishte pasur gjithnjë njerëz prezentë kur kishin ardhur kamionët, ai tha se çdo herë prezentë kanë qenë “këto çikat”, përpos rastit kur kishin ardhur kamionët e parë nga Mitrovica.

Seanca e radhës do të mbahet më 9 maj, ku do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit të radhës.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.