Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të ish-gjyqtares Safete Tolaj - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin e ish-gjyqtares Safete Tolaj, dëshmitari rrëfen si pagoi 700 euro për lirimin e djemve

Dëshmitari Sali Mehaj u dëgjua sot para Gjykatës në Ferizaj në gjykimin ndaj ish-gjyqtares Safete Tolaj, djalit të saj, Fisnik Tolaj, dhe zyrtarit policor Granit Shehaj.

Sipas Prokurorisë, Sali Mehaj është ftuar në cilësinë e dëshmitarit pasi ishte dëmtuar nga veprimet e të akuzuarit Fisnik Tolaj.

Sali Mehaj ka dëshmuar sot se si kishte dhënë para që të liheshin të lirë dy djemtë e tij, të cilët kishin një lëndë te ish-gjyqtarja Safete Tolaj.

Sipas dëshmitarit, një bashkëfshatar i tij, Isuf Mehmetaj ishte si ndërmjetësues mes tij dhe Fisnik Tolajt në dorëzimin e parave.

Dëshmia e Sali Mehajt filloi me pyetjet e prokurorit të rastit, Rasim Maloku, në lidhje me problemin që kishin djemtë e tij.

“Dy djemtë e mi kanë pasë një problem me një person tjetër dhe kanë pasë punë në gjykatë. Kjo ka qenë diku në vitin 2016. Lëndën e ka pasë gjyqtarja Safete Tolaj”, tha dëshmitari.

Në ditën kur do të caktohej masa e sigurisë ndaj djemve të tij në oborrin e Gjykatës dëshmitari Sali Mehaj kishte takuar bashkëfshatarin e tij, Isuf Mehmetaj.

“Isufin e njoh se e kam bashkëfshatar. Më tha se pse jam dal në Gjykatë dhe pastaj më tha se është një njeri që të ndihmon në këtë drejtim por i duhen pare”, rrëfeu dëshmitari Sali Mehaj.

Mehaj vazhdoi rrëfimin e tij duke thënë se në ‘atë moment ishte i gatshëm të jepte edhe jetën’ për djemtë e tij. Më pas dëshmoi se Isuf Mehmetaj i kishte treguar se duheshin 700 euro që djemtë e tij të mos vuanin masën e paraburgimit.

“Unë isha në gjendje edhe me jap jetën për ta. Isuf Mehmetaj ka shku ka fol me ta (Fisnik Tolajn) dhe ky ia ka kërku 700 euro për mos me mi çu djemtë në burg”, tha dëshmitari.

Më pas, Mehaj rrëfeu se si ia kishte dhënë 700 eurot Isuf Mehmetajt dhe se aty e kishte kuptuar saktë se kush ishte Fisnik Tolaj.

“Unë paret ia kam dhënë Isufit. Unë këtë person nuk e kam njoftë përpara. Isufi më ka thënë që ky personi është djali i gjyqtares Safete Tolaj”, tha dëshmitari.

Pas një kohe, sipas Mehajt, masa e arrestit shtëpiak ndaj djemve të tij ishte zëvendësuar me masën e lajmërimit në stacion të Policisë.

Gjykimi ndaj djemve të tij kishte përfunduar me dënimin e tyre.

Sipas dëshmitarit, dënimi me burgim iu kishte zëvendësuar me dënim me gjobë në total prej 2.700 euro. Këtë dënim, dëshmitari tha se kishte filluar ta paguante përmes kësteve.

“Masi ia kam nis me pagu gjobën, Isufi më ka thënë se po thotë Fisi që mos ta paguaj dënimin me gjobë, por jepmi 1.200 euro edhe t’i nxjerrë edhe ato që i ke pagu dhe të shlyhet dënimi”, rrëfeu Sali Mehaj.

“Unë nuk kisha mundësi me pagu 1.200, por Isufi më tha se ka mundësi me i dhënë 800 euro dhe unë pranova, ashtu që Isuf Mehmetajt ia dhashë 800 euro”, shtoi në dëshminë e tij Sali Mehaj.

Ndonëse Sali Mehaj i kishte dhënë 800 euro për të zgjidhur çështjen e mospagesës së gjobës, në oborrin e shtëpisë së tij kishte gjetur dy ftesa nga Gjykata.

“Në dyer të oborrit i gjeta dy ftesa prej Gjykatës për djemtë e mi, ku thuhej që urgjentisht të shkojnë tek burgu i Dubravës për vuajtje të dënimit”, tha dëshmitari Sali Mehaj.

“I mora ftesat e shkova te Isufi. Jemi dalë në Decan, e ka ftu Fisin por unë nuk kam shku në takim me Fisin. Aty Fisi ish kanë ulë me do shokë, edhe i kish thonë Isufit: Shtini ftesat përmas edhe këqyrim këtë punë’”, shtoi dëshmitari.

Edhe pse kishte marrë konfirmimin nga Fisnik Tolaj që do të zgjidhej çështja e ftesave të Gjykatës, Sali Mehaj tha se kishte vazhduar të paguante gjobën nga frika se djemtë e tij do të arrestoheshin.

“Pas një kohe të gjatë jam taku me Fisin dhe kam kërku me kry punën qysh ka premtu. Tu dal, Fisi i ka thanë Isufit që duhen edhe 350 euro për shpenzime të Gjykatës. Unë i kam pasë 200 euro dhe 150 ia kom marr Isufit”, tha Sali Mehaj.

Mirëpo, sipas dëshmitarit, ai “asnjëherë nuk ia kishte dorëzuar personalisht mjetet Fisnik Tolajt, por përmes Isuf Mehmetajt”.

“Më thoshte se do të kryhet kjo punë dhe se mama e tij i ka vendimet në veturë”, shtoi në dëshminë e tij, Sali Mehaj.

Pas shumë insistimeve të dëshmitarit, Fisnik Tolaj kishte vendosur që t’i jepte një letër në oborrin e Gjykatës në Deçan.

“Një ditë jemi taku, pastaj kemi shku në Gjykatë dhe ma ka dhënë një letër. Më ka thënë që për një djalë është kry puna. Për tjetrin tha ta jap tjetër ditë. Prej gëzimit të madh, e kam përqaf Fisin, edhe pse s’kam kry shkollë shumë me ditë që çka ka pasë në atë letër”, tha Sali Mehaj.

Më tej, ai shtoi se vetëm kur e ka parë emisionin “Drejtësia në Kosovë” ka dyshuar në letrën dhe ka shkuar në Gjykatë për të vërtetuar se çfarë dokumenti i kishte dhënë Fisnik Tolaj.

“Kur e kam pa emisionin Drejtësia në Kosovë, kam shku në Gjykatë. Dhe më thanë që kjo (letër) nuk është kurgjo dhe nuk është e vërtetuar”, tha dëshmitari.

Në një nga pyetjet e mbrojtësit të Safete Tolajt, Kujtim Kërveshi, dëshmitari tregoi se ishte takuar vetëm një herë më ish-gjyqtaren.

“Unë e kam taku gjyqtaren Safete Tolaj dhe kam kërku që njërin djalë me leju me dalë në dyqan se krejt familja varet prej dyqanit. Por ajo më ka thënë jo se janë vendimet në Pejë dhe nuk ka mundësi”, tha dëshmitari.

Në këtë gjykim ishte e ftuar të dëshmonte edhe Blerina Vishaj, gruaja e të akuzuarit Fisnik Tolaj, por refuzoi të dëshmonte, duke shfrytëzuar të drejtën ligjore.

https://kallxo.com/deshmitari-djali-i-ish-gjyqtares-tolaj-mi-kerkoi-20-mije-euro-per-te-pershpejtuar-lenden/

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë proces gjyqësor, i cili ka nisur pas aktakuzës së ngritur pas gjetjeve të emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

Gjykimi i ish-gjyqtares, djalit të saj dhe zyrtarit të Policisë është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.