Çmimorja e artikujve në një nga kafenetë e Ferizajt, pjesë e marrëveshjes për shtrenjtim të çmimeve. Foto: Kallxo.com

Naive Marrëveshja për Shtrenjtimin e Makiatove në Ferizaj

Pas shkrimit në Gazetën Jeta në Kosovë në gusht të këtij viti për shtrenjtimin e makiatove në bazë të një marrëveshjeje në mes pronarëve të disa kafeneve e restoranteve në Ferizaj, për këtë gjë ka reaguar Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Ky autoritet ka konstatuar ekzistimin e kësaj marrëveshjeje të cilën e ka vlerësuar të paligjshme por pa elemente për hetim.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës AKK ka monitoruar situatën në treg, ka gjetur se ka pasur marrëveshje gojore në mes pronarëve të kafeneve në qytetin e Ferizajt, marrëveshje kjo e ndaluar sipas Ligjit Nr.03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, por ka konstatuar se një gjë e tillë ka pasur ndikim jo të ndjeshëm mbi konkurrencën dhe nuk ka interes publik për fillimin e procedurës hetimore,” thuhet në konkluzionet e këtij autoriteti në lidhje me shtrenjtimin.

Sipas monitorimit të AKK-së marrëveshja nuk ka zgjatur më shumë se 3 deri në 7 ditë pas të cilave pronarët vetvetiu i kanë ulur çmimet, tregu është liberalizuar me çmimet e njejta siç kanë qenë  dhe një marrëveshje e tillë nuk ka pasur impakt në treg e as palë të dëmtuar.

Marrëveshjen Autoriteti Kosovar i Konkurrencës e cilësoi naive.

“Përfundimisht mund të vlerësojmë se kjo marrëveshje është bërë nga mosnjohja e dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, për më shumë ajo nuk ka prodhuar ndonjë pasojë për palët e involvuara dhe lirisht mund të themi se kemi të bëjmë me një marrëveshje naïve, e cila nuk ka pasur ndikim apo efekte të çregullimit të konkurrencës në treg,”  shpjegohet në konkluzionet e AKK-së.

Screenshot

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për shtrenjtimin e kafeve në Ferizaj më 12 gusht.

Kafenetë e Ferizajt Rrezikojnë Gjoba për Shtrenjtim të Makiatos