Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministrat, duke shkuar në mbledhjen e Qeverisë - Foto: KALLXO.com

Mustafa: Punën e ekipit negociator e kryente vetëm një ministre

Ish kryeministri Mustafa e ka quajtur ekipin shtetëror të Kosovës për dialog, si një ekip pa relevancë.

Sipas tij, punën e 11 anëtarëve të këtij komisioni, në të kaluarën e bënte vetëm një person, duke aluduar në ish-ministren për dialog, Edita Tahiri.

Ai tutje ka shkruar se Kosova duhet të përfaqësohet në Bruksel nga një qeveri që ka përkrahje të gjerë e që ka unitet për çështje të dialogut.

Statusi i plotë i Isa Mustafës:

Të nderuar qytetarë,

Dje Kosova u përfaqësua në Bruksel nga një delegacion pa relevancë. Mos të flas për numrin. Më parë, me kompetencë, një ministre e bënte punën e gjithë atyre që ishin në Bruksel.

Ajo që dëgjuam, ishte se ata e morën një porosi të qartë. Se duhet të kthehen në Kosovë ta heqin taksën, si parakusht për dialogun.

Bashkëkryesuesit në deklaratat e tyre nga Brukseli u munduan ti tregojnë Kosovës se kush janë. Ata u morën me vetveten, jo me esencën e dialogut; u morën me taksën, pa dhënë përgjigje, dhe u morën me LDK-në.

LDK konsideron se dialogu me Serbinë është çështje shumë serioze për Kosovën. Një çështje serioze duhet të ketë qasje serioze dhe institucione që e përfaqësojnë me legjitimitet. Jo njerëz që shkojnë në Bruksel për të përgojuar opozitën. Logjika dhe kultura evropiane nuk i kultivon dhe nuk i preferon sjelljet e tilla.

Kosovën në Bruksel duhet ta përfaqësoj një Qeveri me përkrahje të gjerë, e cila për çështje të dialogut arrin të sigurojë unitet. Ndryshe, të tjerët do na i bëjnë letrat e ne do të vazhdojmë të përplasemi ndërmjet veti. IM

Ditën e martë të 8 janarit delegacioni shtetëror i Kosovës e filloi në Bruksel.

Delegacioni prej 11 burrash nisi takimin në ora 10:00 me zyrtaret gra të Bashkimit Europian, të prira nga Përfaqësuesja e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Megjithëse para takimit u deklarua se do të jetë vetëm një takim njohës, aty u diskutuan për shumë çështje, përfshirë edhe taksën prej 100% të vendosur ndaj produkteve të Serbisë muaj më parë nga Qeveria kosovare.

Pas këtij takimi prej gati 2 orësh, kryesuesit e ekipit negociator, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti u deklaruan para mediave.

Limaj me këtë rast tha se në këtë takim u bë e ditur se  nuk do të ketë më dialog mes Kosovës e Serbisë me tema të veçanta dhe të mos implementohet asnjë marrëveshje.

Ndërsa, Ahmeti tha se është bërë me dije që dialogu ka një adresë dhe se kanë kërkuar që ftesat t’i dërgohen edhe delegacionit shtetëror.

Kurse, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federika Mogherini, kërkoi nga ekipi negociator që të hiqet taksa ndaj produkteve serbe.

‘Togu’ i burrave të Kosovës përballë grave të BE-së