Takimi i ekipit negociator ne Bruksel - 08.01.2019

Kryesuesit e Ekipit Negociator: Ia bëmë të qartë BE-së se kemi ekip e jo individë për dialogun

Kryesuesit e ekipit negociator për dialogun Kosovë-Serbi, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti janë deklaruar pas takimit që kanë pasur me ndërmjetësuesen e dialogut Kosovë – Serbi, Federika Mogherinin.

Shpend Ahmeti ka deklaruar se takimet në Bruksel do të bëhen në nivel të shteteve.

“Edhe një herë e qartësuam dhe besoj se herën e ardhshme kur t’ia bëni pyetjen (Maja) Kocijançiqit, nuk do të ketë me deklarata se a e udhëheq ky apo ai. Kosova ka delegacion shtetëror, ka edhe institucione, nuk e kemi ndërruar rendin kushtetues, megjithatë mendoj se jemi republikë parlamentare dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës na ka mandatuar”, tha ai në Bruksel.

Ahmeti tha se dialogu ka një adresë dhe se kanë kërkuar që ftesat t’i dërgohen edhe delegacionit shtetëror.

“U thamë se çfarëdo ftese që keni, përfshirë edhe për Presidentin, i dërgohet delegacionit shtetëror dhe kur ka takime të presidentëve ka takime të presidentëve, kur ka takime të grupeve tjera ka, por delegacioni shtetëror e ka përgjegjësinë që ta negociojë marrëveshjen në konsultim me krerët tjerë shtetërorë”, theksoi ai.

Ndërkaq, kryesuesi tjetër, Fatmir Limaj tha se nuk do të ketë më dialog mes Kosovës e Serbisë me tema të veçanta dhe të mos implementohet asnjë marrëveshje.

“Duhet të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe në zemër të saj të jetë njohja reciproke, anëtarësimi në OKB dhe njohja nga pesë vendet e BE-së. E bëmë të qartë që Kosova ka ekip dhe nuk ka individë. Kushdo që vjen këtu, ne jemi ekip shtetëror që përfaqëson vendin tonë dhe tani e tutje do të përcaktohet agjenda. Në fillim i kemi bërë shumë gjëra të qarta mes vete dhe jam shumë i kënaqur”, theksoi Limaj.

Udhëheqësit e delegacionit shtuan se përveç të pagjeturve, në dialog do t’i shtjellojnë edhe temat për krimet e luftës dhe reparacionet që sipas tyre kanë të drejtë t’i ngrisin si çështje në Bruksel.

https://kallxo.com/delegacioni-shteteror-mban-sot-takimin-e-pare-ne-bruksel/

Ekipi negociator, mes kritikave dhe lëvdatave për unitet në dialog

.