Isa Mustafa - Foto: Atdhe MULLA

Mustafa: Në dialogun me Serbinë, askush nuk mund ta përfaqësojë Kosovën pa mandat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se në dialogun me Serbinë askush nuk mund ta përfaqësojë Kosovën pa mandat nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Kjo çështje duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Konsiderojmë që është absurde që të ulesh me Serbinë në tavolinë përderisa Serbia punon kundër njohjeve dhe interesave të Kosovës”, tha Mustafa në një konferencë për media pas takimit me kryetarët e degëve të LDK-së.

“LDK do të jetë shumë e përkushtuar që të përkrah ligjet në Kuvendin e Kosovës që kanë të bëjnë me transformimin e FSK-së në Ushtri. Ne do të përkrahim edhe procesin e liberalizimit të vizave”, tha Mustafa.

Po ashtu, ai tha se LDK vlerëson se nuk guxohet të fajësohet BE-në për liberalizimin e vizave por duhet të sigurohen vendet anëtare një nga një se Kosova do t’i përmbushë të gjitha kriteret.

Në këtë mbledhje, Isa Mustafa tha se është biseduar edhe për organizimin e këshillit të përgjithshëm te LDK-së dhe çështjet që do t’i diskutojmë në këshill.

KALLXO.com transmetoi LIVE konferencën për shtyp: